Udhëheqësi bolshevik Vladimir Lenin, vdiq më 21 janar 1924, pasi pësoi një seri goditjesh celebrale në moshën 53-vjeçare. Të paktën ky është version zyrtar që jep historia. Në fakt vdekja e tij, ashtu si e shumë udhëheqësve të tjerë autoritarë, mbart mistere.
Studiuesit mjekoligjorë, e pranojnë së sëmundja seksualisht e transmetueshme e sifilizit mund të ketë qenë një faktor. Por ata nuk përjashtojnë mundësinë e vdekjes nga helmimi. Neurologu i Universitetit të Kalifornisë, Herri Vinters dhe historiani rus Lev Luri, shqyrtuan disa vjet më parë kartelën mjekësore të Leninit, autopsinë e trupit të tij të pajetë, dhe historinë e familjes.
Dihet nga të gjithë, se shëndeti i liderit revolucionar rus ishte dobësuar nga disa goditje para se të vdiste në janarin e 1924-ë. Por ka shumë pikepyetje, mbi faktin pse ai ra viktimë e sulmeve të tilla në një moshë relativisht të re. Njëra nga autopsitë zbuloi se enët e gjakut në trurin e tij ishin jashtëzakonisht të ngurtësuara, gjendje që ka qenë e vështirë të shpjegohet, thotë eksperti Filip Makoviak. “Së pari ai ishte i ri, dhe së dyti nuk kishte asnjë nga faktorët e rëndësishëm të rrezikut” thekson ai.
Lenini nuk pinte duhan, dhe nuk lejonte duhanpirësit t’i qëndronin pranë. Gjithashtu nuk vuante nga diabeti, nuk ishte mbipeshë, dhe as autopsia nuk gjeti ndonjë provë se ai vuante nga tensioni i lartë. Makoviak, thekson se në kohën e vdekjes kishte “shumë dyshime”, se fajin për këtë e kishte sëmundja e sifilizit.
Vinters thotë se Lenin ishte kuruar për sifiliz, duke përdorur ilaçet primitive që ekzistonin në atë kohë. “Sifilizi ishte në atë kohë një sëmundje shumë e zakonshme”- thekson ai. Por Vinters vë në dukje se nuk ka gjetur asnjë provë në simptomat e Leninit ose në autopsi, se pikërisht kjo sëmundje shkaktoi goditjet në tru që pësoi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik.
Një rol në vdekjen e tij, mund të ketë luajtur predispozita gjenetike për një ngurtësim të arterieve. Vinters vë në dukje se edhe babai i udhëheqësit sovjetik, vdiq nga një shkak i ngjashëm në moshën 54-vjeçare. Një faktor rreziku për goditje celebrale është stresi, dhe nuk ka asnjë dyshim se revolucionari komunist ishte nën stres.
“Kur dikush po përpiqet t’ju vrasë, kjo është diçka mjaft stresuese”- thotë Vinters. Shëndeti i Leninit ishte rënduar me kalimin e kohës. Në vitin 1921, ai harroi fjalët gjatë një fjalimi, ndërsa ai u desh të mësonte të fliste nga e para, dhe të shkruante me dorën e majtë pas një goditje në tru. Një goditje e madhe e mëvonëshme e la të paralizuar nga njëra anë e trupit, të mbërthyer në një karrige me rrota dhe në pamundësi për të folur.
Në fotot e shkrepura në atë kohë, Lenini “dukej në fakt si një 80-vjeçar” thotë Vinters. Por Luri shprehet se Lenini e kishte marrë veten mirë në fillim të vitit 1924. Ai festoi Vitin e Ri, dhe doli për gjueti. Lenini, që mbështeti ngjitjen e Stalinit në pushtet, mund ta ketë kuptuar se bëri një gabim të madh, ndaj nisi të rreshtohej përkrah Leon Trocit.
Për këtë arsye ai u lehmua nga Stalini, pretendon historiani. Lurie, deklaron se helmimi ishte një nga metodat e preferuara të Stalinit për eleminimin e armiqve. Ai sugjeroi se mund të jetë me vlerë një analizë e indeve të trurit të Leninit, që ruhet në Moskë.
Por, Vinters ka dyshime mbi këtë teori. “Policia sekrete kishte laborator të veçantë për prodhimin e helmeve, që nuk zbuloheshin kurrë pasi të kishin bërë punën e tyre.Vdekja e Leninit do të mbetet në thelb një mister”- thekson ai. Trupi i balsamosur i Leninit, ndodhet ende në një mauzole në Sheshin e Kuq të Moskës.
Vinters, që ka shqyrtuar të dhënat e autopsisë dhe historinë mjekësore të udhëheqësit komunist, thotë se testet e toksikologjisë që mund të zbulonin helmimin, nuk ishin kryer gjatë autopsisë. Raportet e kohës, tregojnë gjithashtu se Lenini ishte aktiv dhe fliste disa orë para vdekjes së tij. “Pastaj ai përjetoi një seri konvulsionesh vërtet të rënda, gjë që është shumë e pazakontë për dikë që ka pësuar një goditje në tru”- thotë ai.