Përkeqësohet situata me Covid-19 në Qarkun e Beratit, të infektuar mësues, edukatore, policë dhe punonjës bashkie

0
Koronavirus I Kuq 1 696x512

Situata epidemiologjike nga Covid-19 ka ardhur duke u përkeqësuar në qarkun e Beratit, ku vetëm ditën e djeshme u regjistruan 19 raste të reja, të shpërndara në të pesta bashkitë. Në qytetin e Beratit kanë rezultuar “pozitive” 2 edukatore në çerdhen “Donika Kastrioti”, çerdhe që është mbyllur disa ditë më parë nga DSHP-ja, pas infektimit të një edukatoreje dhe sanitares së çerdhes.

Në shkollën 9-vjeçare të fshatit Vodicë në qytetin e Poliçanit, një mësuese është konfirmuar “pozitive”, ndërkohë që edhe 3 mësuese në një shkollë 9-vjeçare në Skrapar janë diangnostikuar të infektuara me Covid-19. Përveç mësueseve të infektuara në Skrapar, edhe një efektiv policie i Komisariatit të Skraparit ka rezultuar “pozitiv”.

Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se të gjitha rastet e konfirmuara “pozitive” në Skrapar janë kontakte të afërta familjare të mjekut nga Skrapari, që ndërroi jetë nga Covid-19 në 4 Tetor. Covid-19 është futur edhe në bashkinë e qytetit të Kuçovës, ku një punonjëse e administratës ka rezultuar “pozitive”.

Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se rastet me Coronavirus kanë ardhur në rritje javët e fundit në qarkun e Beratit. Të njëjtat burime konfirmojnë se vetëm sot në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal Berat janë shtruar në gjendje të agravuar 10 shtetas, të cilët janë të gjithë me oksigjen.

Artikulli i mëparshëmMeta i kthehet ashpër Ramës: Duhet ta ketë të qartë se numërimi mbrapsht ka filluar…
Artikulli i radhësAlarmi i OKB/ Bota në prag të një pandemie apokaliptike, që mund të vrasë 80 milionë njerëz