Sipas kompanive ajrore, numri i njerëzve që kanë rezervuar një areoplan privat muajt e fundit është rritur ndjeshëm. Kryesisht, kanë qenë pasagjerë të zakonshëm, por, pa dyshim, me xhepat plot.
Industria e udhëtimeve është goditur mjaft rëndë për shkak të pandemisë. Gjatë kësaj kohe i kemi parë linjat ajrore duke luftuar, njerëz që presin rimbursimet etj. Kompania angleze 60-vjeçare, Air Partner, ka sjellë oferta të ndryshme kohët e fundit për udhëtime private. Sipas saj, këto udhëtime kanë qenë shumë të zgjedhura këtë periudhë nga të rinjtë që e shohin si një mënyrë të sigurt, komode dhe fleksible në këtë kohë pandemie.
Nëse jeni kuriozë të dini se sa mund të kushtojë një udhëtim i tillë, Air Partner ka bërë disa vlerësime për Daily Mail. Përgjatë muajve gusht – shtator, një grup prej katër personash mund të paguajë për një udhëtim nga Londra në Nice, Francë, rreth 11,400 £; 12,300£ për Pisa, Italy dhe 20,900£ për Mykonos, Greqi. Këto çmime mjaft ‘të kripura’ përfshijnë sigurimet, hotelerinë dhe shërbimet luksoze në ambientet e avionit.
Cilat kategori njerëzish e përdorin këtë shërbim?
Air Partner thotë se klientët janë të larmishëm. Mund të udhëtojnë për biznes por edhe për kohë të lirë. Bizneset e mëdhaja në botë përdorin rregullisht shërbimet e kësaj kompanie, po edhe njerëz të filmave dhe argëtimit, si dhe politikanë, të cilët e kanë të domosdoshme privatësinë dhe fleksibilitetin që të jep një avion privat.
“Duke qenë se njerëzit kanë qenë të mbyllur gjatë muajve të fundit, kërkesa për të udhëtuar, qoftë për kohë të lire, qoftë për biznes, është rritur në mënyrë të konsiderueshme”,- thotë Air Partner.
Kjo është një zgjedhje kategorike, pasi përfshihet në shërbimet luksoze, të cilat jo të gjithë kanë mundësi t’i zgjedhin. Mos u ndjeni të pafatë. Vazhdoni udhëtimet tuaja normale me çmime të arsyeshme dhe me masat e duhura. Më mirë shpenzoni para në destinacionin ku do të arrini sesa për rrugën që do përshkoni.