Indeksi i të ardhurave dhe shpenzimeve i familjeve ka ardhur në një trend rënës që nga 6-mujori i dytë i vitit 2018, sipas indeksit të ndërtuar nga Banka e Shqipërisë mbi bazën e anketës në 1300 familjeve për gjendjen e tyre financiare që zhvillohet me bazë gjashtë mujore.
Indeksi të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve që ka si bazë krahasuese vitin 2010 ka pësuar një rritje të moderuar deri në vitin 2013, ndërsa në 2014 u vërejt një ulje e kapaciteteve financiare të familjeve.
Pas vitit 2014 deri në vitin 2018 indeksi i gjendjes financiare të familjeve shqiptare shënoi rritje të qëndrueshme deri në gjysmën e dytë e dytë të vitit 2018, teksa më pas ka nisur sërish ulja.
Balancat tregojnë se të ardhurat përgjithësisht gjatë kësaj periudhe ishin më të larta se shpenzimet dhe përfaqësojnë ecurinë e kursimeve të popullatës.
Të dy indekset rezultojnë në rënie në terma vjetorë në 2019-n dhe përmirësim të lehtë në 2020-n, por duke mbetur poshtë nivelit të 2018-s.
Kjo ecuri e të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve vlerësohet të jetë reflektim i fillimit të materializimit të rënies ekonomike në vend gjatë këtij viti si pasojë e dy goditjeve të forta, tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar dhe pandemisë Covid-19.
Në shpërndarjen e familjeve sipas nivelit të shpenzimeve të domosdoshme të jetesës rreth 53% e tyre deklarojnë shpenzime mujore në nivelin ’20-50 mijë lekë’ dhe kjo peshë ka rënë 4 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar, ndërkohë që rreth 20% deklarojë shpenzime në nivelin ’10-20 mijë lekë’ dhe kjo peshë është rritur gjatë periudhës me 3 pikë përqindje.
Numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura nga punësimi/vetëpunësimi në sektor shtetëror, privat dhe/ose burime të tjera, ka shënuar një rritje të lehtë (me 1.1 %) në terma gjashtëmujorë, por rënie me 2.1% në terma vjetorë (6MI 2019).
Duke e fokusuar analizën vetëm në pjesën e të punësuarve të kampionit të vrojtuar, numri total i tyre gjithashtu ka shënuar një rritje të lehtë (me 1.7%) në terma gjashtëmujorë, por ka rezultuar në rënie (me 4.2%) në terma vjetorë, e ardhur nga të tre sektorët e punësimit, por më e theksuar në rastin e punësimit në sektorin shtetëror./monitor.al