Veliaj ‘inaguron’ parkimin që përdoret prej muajsh, ndërtuar me tendera klientelistë

0
Veliaj ‘inaguron’ parkimin që përdoret prej muajsh, ndërtuar me tendera klientelistë

Erion Veliaj inaguroi, të enjten, parkimin nëntokësor të stadiumit kombëtar ‘Air Albania’.

Punimet për parkimin nëntokësor kanë nisur që me nisjen e punimeve për stadiumin, dhe pothuaj menjëherë pas hapjes së stadiumit, në nëntor 2019, parkimi ka qenë në përdorim nga qytetarët.

Por duket se Veliaj ka zgjedhur që të inagurojë atë, vetëm sot, ndërkohë që ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Tenderat e dyshimtë të parkimit nëntokësor

Në ndërtim prej 3 vitesh, ky parkim i ka kushtuar qytetarëve të Tiranës rreth 6 milionë euro, dhënë klientëve të zakonshëm të Ramës e Veliajt, përmes tenderëve të dyshimtë.

Në janar 2018, Bashkia Tiranë i dha fillimisht 2,5 milionë euro Albstar shpk, kompanisë që ndërtoi stadiumin e ri, për ndërtimin e parkimit nëntokësor në Sheshin Italia, para stadiumit.

Ndërsa projektimi i parkimit ka kushtuar rreth 7,6 milionë lekë, afërsisht 57 mijë euro dhe është financuar, gjithashtu nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

Projektimi është realizuar nga klientë të zakonshëm të qeverisë Rama, të cilët ndër të tjera kanë projektuar dhe mbikqyrur ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar.

Sfera Studio e Artan Shkrelit, ish-këshilltarit të Ramës në mandatin e parë dhe, dhe Marco Casamonti i firmës Archea Associati, projektues i stadiumit të ri kombëtar për llogari të Albstar shpk, janë dhe projektuesit kryesorë të parkimit.

Pjesë e ekipit projektues ishte edhe Ave Counsulting, kompania e Arben Dervishaj, shefi i sektorit të infrastrukturës sportive në FSHF dhe supervizori i ndërtimit të stadiumit të ri—me gjasa në konflikt të hapur interesi, pasi ai duhet të supervizonte Albstarin në ndërtimin e stadiumit, ndëkohë që në projektin e parkimit ishte bashkëpunëtor me Albstarin.

Pas këtyre tenderëve, bashkia i kërkoi qeverisë të shpronësonte një ndërtesë në jug të zonës e më pas miratoi projektin e dytë për rikualifikimin e tij me vlerë 2,4 milionë të tjera, që e çon shifrën vetëm për ndërtimin e parkimit në mbi 5,9 milionë euro.

Të gjitha këto kosto u mbuluan nga buxheti i Bashkisë.

Pas gjithë këtyre tenderave qëndrojnë kompanitë dhe njerëzit pranë Veliajt e Ramës: Artan Shkreli, Arben Dervishaj, Marco Casamonti, Alket Kumaraku, Artan Dervishaj, të cilët përfitojnë punë publike me tendera të tillë të dyshimtë – shpesh edhe në konflikte interesi – falë lidhjeve me pushtetin e Ramës dhe Veliajt.

Artikulli i mëparshëmKompania Fusha fiton tenderin për Piramidën
Artikulli i radhësRakacolli tregon se cila moshë mund të lëvizë pa maskë duke filluar nga dita e enjte