Bomba më e madhe e gjetur ndonjëherë në Poloni që daton nga Lufta e Dytë Botërore shpërtheu nën ujë të martën, derisa zhytësit e marinës u përpoqën ta çmontonin atë.
Sipas Reuters, më shumë se 750 njerëz ishin evakuuar nga zona afër Kanalit Piast jashtë qytetit Swinoujscie ku edhe u gjet bomba Tallboy e përdorur nga Forcat Ajrore Mbretërore Britanike (RAF); bomba peshonte gati 5,400 kilogramë përfshirë dhe 2,400 kilogramë eksploziv.
“Objekti tani mund të konsiderohet si i neutralizuar dhe nuk do të paraqesë më kërcënim”, u shpreh Togeri i Dytë, Grzegorz Lewandowski, njëherësh zëdhënësi i Flotiljes së 8-të i Mbrojtjes Bregdetare.
“Të gjithë zhytësit e minave ishin jashtë zonës së rrezikut”, tha mes tjerash ai.
Qyteti i Swinoujscie përmban një terminal të gazit të lëngshëm natyror, mirëpo, një zëdhënës i kryebashkiakut tha se askush nuk u lëndua si dhe nuk pati dëmtime të infrastrukturës.