Është revoltuese kur sheh anëtarë të komitetit të dalin studiove televizive jo vetëm duke pretenduar “suksese”, por edhe duke pretenduar se masa qesharake, si mbajtja e maskës në publik, do të bëjnë mrekullinë e shumëpritur duke zhdukur COVID-in nga jetët e shqiptarëve!
Këtyre zotërinjve dhe zonjave duhet t’u përsëritet çdo ditë se:
1. Jemi vendi që nuk teston! Vendi i fundit në Europë, megjithëse gjysmën e testimeve qytetarët e paguajnë nga xhepi!
2. Jemi vendi që gjurmon si në shekullin e 19-të, por me ekspertë ndoshta më pak të aftë se John Snow i atyre viteve!
3. Jemi vendi ku trajtimin po e paguan qytetari, si në shtëpi dhe në spital!
Për pasojë, jemi një vend që po e menaxhon COVID në mënyrën më të keqe të mundshme dhe ku:
1. Nuk bëhet diagnoza e hershme dhe mjekimi i hershëm i personave të prekur!
2. Personat që kanë të afërm të prekur po mundohen me çdo kusht t’i trajtojnë ata në shtëpi sepse tremben nga spitalet!
3. Janë shfaqur lloj-lloj sharlatanësh që po “mjekojnë” COVID-in në shtëpi, ku vetëm vizita e një personeli të pakualifikuar shkon në 10.000 lekë (afërsisht 100 dollarë) dita!
4. Shifrat flasin për një vdekshmëri të frikshme reanimatore (në repartet e kujdesit intensiv) që mund të luhatet midis 60% dhe 80% të atyre që shtrohen në këto reparte!
Dikush duhet t’u thotë komitetsave se kur ke vdekshmërinë reanimatore në këto shifra dhe vdekshmërinë në përgjithësi afërsisht 2.5%, nuk merresh me maskat në rrugë!!!
Mbajtja e maskës në rrugë, në këtë nivel përhapje të virusit që ka Shqipëria, nuk ka asnjë efekt. Sidomos kur shihet fluksi i lëvizjes në rrugët tona që nuk është i ngjashëm, jo vetëm me Hong Kongun e Seulin, por as me Milanon e Berlinin.
Transmetimi i virusit nuk ndodh në rrugë, por në autobuz ku ende nuk përdoret maska dhe ka dyndje sidomos në oraret pik. Ndodh në mjedise të tjera të brendshme ku ose maska nuk mbahet, ose mbahet në mënyrë jo korrekte!
Prandaj, në se e kanë seriozisht luftën kundër COVID, të rregullojnë trinomin testo-gjurmo-trajto!
Le të kthehen me këmbë në tokë dhe, në se nuk janë vendim-marrës ashtu si pretendojnë, të përpiqen t’i bëjnë esëll ata që marrin vendime!
Shqiptarët po sëmuren dhe po vdesin!
Një copë leckë kur del në rrugë nuk ofron asnjë mbrojtje shtesë!!!
Të paktën jo në botën reale!
Në botën e çudirave dhe fantazive 3D është tjetër histori..