80 milion euro humbje vjetore nga duhani – Drafti i ri sjell në “shina” tregun informal, gjoba deri në 1 milion lekë për shkelësit

0

Informaliteti në tregun e kultivimit dhe shitjes së duhanit vijon të jetë shqetësues ndër vite, ku afro  25-30% e konsumit të këtij produkti është informal, duke bërë që për shkak të mospagesë së taksave, buxheti  i shtetit të humbasë 20-25 milion Euro në vit. Nëse ky konsum informal, konvertohet në cigare të shitura nga furnizuesit formal, humbjet për buxhetin e shtetit llogariten rreth 80 milion euro në vit. Ndërkaq, mungesa e politikave të veçanta dhe mos përfshirja në mbështetjen financiare me skema kombëtare nga viti në vit, është shoqëruar me ulje të ndjeshme të sipërfaqes së mbjellë me duhan.

Mungesa e akteve ligjore dhe nënligjore eficente që rregullon marrëdhëniet mes kultivuesve dhe grumbullues–përpunuesve ka ndikuar ndjeshëm në punësimin e banorëve në këtë sektor dhe pagesat përkatëse. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka hedhur për konsultim projektligjin për “Kultivimin, grumbullimin, përpunimin, prodhimin  dhe tregtimin e duhanit dhe të produkteve  të tij”, i cili synon të rregullojë marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet fermerëve dhe kompanive grumbullues-përpunuese , përmes krijimit të garancisë bankare në masën 100% të vlerës së duhanit të grumbulluar dhe shlyerjen e  detyrimit financiar jo më vonë se 30 ditë nga dita e blerjes së duhanit.

Po ashtu, përcaktohen rregulla të qarta për kultivimin, duke sanksionuar në ligj lejimin e kultivimit  të duhanit vetëm nëse fermeri ka një kontratë me një grumbullues-përpunues ,  duke kontrolluar në këtë mënyrë territorin e mbjellë me duhan.  Referuar draftit, kultivuesit duhet të pajisen më kartelë personale të konfirmuar dhe e kanë të ndaluar mbjelljen e duhanit në fushë para nënshkrimit të kontratës me grumbullues-përpunues të licencuar dhe/ose prodhues produktesh duhani. Shkelja e kësaj kërkese është konsideruar kundërvajtje. Nga ana tjetër, drafti  synon parandalimin e tregtisë së paligjshme, shtimin e sipërfaqeve të mbjella si dhe parashikon gjoba nga 50 mijë deri në 1 milionë lekë për shklejet ligjore të bëra nga kultivuesit, përpunuesit dhe shitësit e duhanit.

Artikulli i mëparshëmFOTO/ Ngjarje tronditëse në Turqi, i burgosuri lihet të vdesë në karrike plastike i izoluar
Artikulli i radhësBelgjika publikon HARTËN/ Këto janë zonat më të rrezikuara nga COVID-19 në Europë