ISHP hap tenderin për blerjen e 138.2 mijë kiteve për testime Covid-19 me vlerë 1.3 mln euro

0

Instituti i Shëndetit Publik do të blejë 138,240 kite për kryerjen e testimeve të Covid-19. Fondi për prokurimin e kiteve për testet Covid-19, tamponë dhe materialeve të tjera është në vlerën e 1,3 mln eurove.

Afati i dorëzimit të ofertave është deri në 6 nëntor. Kohëzgjatja e kontratës të prokurimit është për 12 muaj.

“Kiti duhet të jetë i standardizuar  për të kryer të paktën 192 teste me një volum mostre prej 200 µl/test. Kiti duhet të përmbajë: kartrixhe (shërben për përgatitjen e mostrës) për të gjithë reagentët e nevojshëm së bashku me kapakët respektive, stativ për enzimën, tampon AVE 1 (të paktën 20ml), tampon AVE 2 (të paktën 2 ml), ARN carrie, si dhe instruksionet e nevojshme për përdorim  dhe çdo reagent tjetër të nevojshme për të zhvilluar reaksionin”, thuhet në dokumentet teknike të tenderit.

Kontrata e prokurimit do të jetë Marrëveshje Kuadër dhe do të lidhet vetëm me një operator ekonomik, pasi siç shpjegohet në dokumentet e tenderit lëvrimi nga operatorë të ndryshëm nuk do të ishte i favorshëm, pasi do të sillte kosto shtesë dhe vonesa në furnizimi.

“Duke qenë se Shqipëria është një treg i vogël dhe mallrat objekt i Marrëveshjes Kuadër (MK) janë mallra importi dhe tregu i jashtëm për këta artikuj është shumë dinamik  për shkak të pandemisë globale të Covid -19, nxjerrja vetëm e një Operatori Ekonomik fitues do të garantonte sigurinë e furnizimeve. Pasiguria dhe vonesat  mund të sjellë dështime në furnizmin me këto materiale, si rrjedhojë sjell bllokimin e punës në Sektorin e Survejancës Laboratorike të Sëmundjeve Emergjente Virale në ISHP  për testimin e  Covid-19.”

Aktualisht Shqipëria bën më pak se 1,000 testime në ditë, duke e renditur atë ndër vendet me numrin më të ulët të testimeve në raport me popullsinë. Një nga strategjitë e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë kryerja e sa më shumë testimeve, si një mjet për të gjurmuar koronavirusit, në mënyrë që të kufizohet përhapja e tij.

Ky është tenderi i dytë që ISHP zhvillon brenda një afati të shkurtër. Në fund të muajit gusht u zhvillua prokurimi për blerjen e kiteve dhe tamponëve për testet e Covid-19 me vlerë 400 mijë euro./monitor.al

Artikulli i mëparshëmRama i kënaqur me nivelit e lartë të bindjes së popullit për vendosjen e maskës
Artikulli i radhësKryeministri Rama-Bashës: Shqiptarët nuk kthehen te plehrat, kështu do bëhesh kryeministër ti?