Presidenti kinez, Xi Jinping vizitoi një bazë ushtarake në provincën jugore të Guangdong dhe u bëri thirrje trupave për të investuar “tërë energjinë e tyre në përgatitje për luftë”.
CNN, duke iu referuar pretendimeve të agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, shprehet se presidenti kinez u tha ushtarëve “të jenë në gatishmëri të lartë” dhe u bëri thirrje atyre që të jenë “absolutisht besnikë, të pastër dhe të besueshëm”.
Vizita ushtarake vijoi ndërsa tensionet midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat, siç shkruan CNN, mbeten në pikën më të lartë në dekadat e fundit dhe mosmarrëveshjet mbi Tajvanin dhe pandeminë e coronavirusit krijojnë ndarje të mprehta midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi më parë se synon t’ia shesë tre kontigjente armësh Tajvanit, por tani për tani pritet miratimi i Kongresit Amerikan.
Në një përgjigje nga Pekini, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian i bëri thirrje Uashingtonit që “menjëherë të anulojë të gjitha planet për t’i shitur armë Tajvanit” dhe të ndërpresë të gjitha “lidhjet ushtarake me këtë vend”.
Ndryshe, Tajvani nuk është kontrolluar kurrë nga Partia Komuniste në pushtet e Kinës, autoritetet e Pekinit këmbëngulin se ishulli demokratik, vetëqeverisës është pjesë integrale e territorit të tyre.