Rama shuplakë ndaj BE/ Socialistët votojnë kundër eurokomisionerit Varhelyi

0

Socialistët i kanë dhënë shuplakën e parë rekomandimit të Brukselit. Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta, për kthim në Kuvend të ndryshimeve të njëanëshme në Kodin Zgjedhor, që përmbysnin marrëveshjen e 5 qershorit.

Pas një debati për më shumë se 2 orë, 15 prej 17 anëtarëve të këtij komisioni votuan kundër dekretit ndërsa vetëm dy prej tyre 2 pro, deputetët e opozitës parlamentare Adriatik Alimadhi dhe Korab Lita.

Këtë qëndrim të PS, e cila votoi kundër rekomandimit të BE dhe të  eurokomisionerit të zgjerimit Varhelyi për të pritur më parë një opinion të Komisionit të Venecias e pati paralajmëruar vetë Rama.

“E kam sqaruar dhe komisionierin në një bisedë që kemi pasur që Parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet me 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta i cili nuk ka qëllim trë përmirësojë Kodin Zgjedhor por ka qëllim të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist anti-shumicë dhe anti-parlament këtë proces.

Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vet, ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe duke pasur parasysh kohën që kemi në dispozicion, do të mbetet për tu adresuar çfarëdo çështje që mund të dalë përtej 25 prillit” deklaroi ai.

Por menjëherë pas këtij akti reagoi PD: “Këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimin e apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që, për hallin e pushtetit të tij, është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë” tha opozita me gojën e Gazmend Bardhit!

Artikulli i mëparshëmTë tërë mësuesit me Covid-19, mbyllet shkolla 9-vjeçare në Kavajë dhe nis mësimin online
Artikulli i radhësAksident i trefishtë në Lezhë, makinat përmbysen në rrugë