Kristiano Ronaldo ka rezultuar sërish pozitiv, në testin e fundit të kryer, duke humbur kështu përfundimisht duelin e ditës së nesërme ndaj Barcelonës. Një mungesë e madhe kjo për kampionat e Italisë, të cilët duhet të bëjnë pa yllin e tyre.
Edhe pse Juventusi ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht lajmin, mediat italiane “Sky Sport” dhe “Football Italia” së bashku dhe me mediat e tjera ndërkombëtare informojnë se 5-herë fituesi i “Topit të Artë” nuk ka arritur ta kalojë koronavirusin dhe tashmë ekipit bardhezi i duhet të përballet pa të me Barcelonën.
Juventusi shpresonte që portugezi të dilte negativ në tamponin e tretë. Edhe nëse ai nuk do të luante nesër, prezenca e tij do ta inkurajonte skuadrën. Vetë Pirlo deklaroi në konferencën për shtyp për ndeshjen me katalanasit se kishte pak mundësi që Ronaldo të luante, pasi prej 15 ditësh nuk luan.