Mangësi në transparencë dhe vonesa/ Çfarë zbulon tjetër raporti i Komitetit të Helsinkit për procesin e vettingut

0
Arjan-Qafa-KPK-600x400

Procesi i kontrollit të zyrtarëve të sistemit të drejtësisë gjatë vitit 2019 pati ecuri të përgjithshme pozitive, por në disa raste, relatorët në KPK duket se u treguan të kursyer mbi raportimin në seancat dëgjimore, duke mos i raportuar publikut disa aspekte të hetimit administrativ, gjetje mbi pasurinë e gjyqtarëve apo prokurorëve si dhe të dhëna mbi natyrën e denoncimeve nga publiku.

Në një raport mbi ecurinë e procesit të vetingut, Komiteti Shqiptar i Helsinkit analizoi të dhënat për 129 procese rivlerësimi në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe 34 procese me vendimmarrje në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në KPK, 52 subjekte ose 40% të të vetuarve u konfirmuan në detyrë gjatë vitit të kaluar ndërsa 48 subjekte u rrëzuan dhe pjesa tjetër kaluan me ndërprerje procesi rivlerësimi si pasojë e dorëheqjeve. Të gjithë me përjashtim të dy rasteve të gjykuara në fazën e apelit të vetingut u rrëzuan.

Procesi i rivlerësimit kalimtar u konceptua si një procedurë e përkohshme që duhet të zgjasë pesë vjet, por raporti vëren se ecuria e deritanishme ka qenë më e ngadaltë nga sa pritej me rreth 220 subjekte të vlerësuar gjatë viteve 2018 e 2019, nga rreth 800 që janë në total.

“…konsiderojmë se procesi ka vijuar me ritme të ngadalta edhe përgjatë vitit 2019, referuar numrit të subjekteve të rivlerësuara dhe shpeshtësisë së seancave publike,” vërehet në raport.

Transparenca e procesit konsiderohet si e respektuar nga institucionet e vetingut me përjashtim të disa aspekteve, përfshirë raportime të kursyera nga ana e relatorëve në disa procese rivlerësimi apo kufizimi i të drejtës së subjekteve për t’u shprehur në seancë vetëm mbi “provat e reja” dhe jo ato të dorëzuara më herët në komision.

“…nga seancat publike të monitoruara në KPK vërehet se ka pasur raste të mosrelatimit në mënyrë të plotë apo qoftë edhe të pjesshme, të disa rezultateve me interes për publikun që ka prodhuar hetimi administrativ dhe veçanërisht të lidhura me denoncimet e qytetarëve,” thuhet në raport.

“Në disa raste, gjatë relatimit në seancë publike, nuk janë bënë të ditura rezultatet e hetimit administrativ lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, pa specifikuar nëse mosrelatimi lidhet me faktin e të klasifikuarit të tyre ose jo si sekret shtetëror,” vijon më tej raporti.

Vëzhguesit raportojnë raste kur subjekti i rivlerësimit paraqet pretendimet e tij, lidhur me rezultatet e hetimit, ndërkohë që nga kryesuesi i trupit gjykues, i sugjerohet “të mos kalojë në përsëritje”, por të ndalet vetëm tek argumentet dhe provat e reja, duke theksuar se trupi gjykues i ka marrë argumentet dhe provat me shkrim”, vëren Komiteti ndërsa shton se “kemi mendimin se në funksion të transparencës së procesit ndaj publikut, pretendimet që shpalosen nga subjekti apo avokati i tij/saj mbrojtës mund të marrin një kohë më të arsyeshme. Kjo qasje në fakt kërkon një barazpeshë me parimin e ekonomicitetit të procesit gjyqësor.”

Raporti vëren gjithashtu se se shumica dërrmuese e vendimeve janë publikuar me vonesë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“I sugjerojmë institucioneve të vettingut të sigurojnë transparencë të plotë në seancat dëgjimore dhe vendimmarrjet e tyre, për disa nga aspektet e procesit të analizuara në këtë raport,” thuhet në raport. /Birn/

Artikulli i mëparshëmEMRI/ “Të lutem shef mos agravo në dhunë”- Zbardhet dëshmia e gruas së avokatit të shoqëruar me forcë në Lezhë: Oficeri dhunon edhe të miturit. Çfarë i kërkova shefit të SHÇKB-së
Artikulli i radhësEMRI/ U dëbua disa herë nga Britania, i riu arrestohet për shitje kokaine. Banorët u habitën kur policia i pyeti për…