Veshur me të zeza dhe armatosur deri në dhëmbë, grupi afro-amerikan që po tremb SHBA

0
This image has an empty alt attribute; its file name is shba-1.png

Për herë të parë, “pushka” e tyre u dëgjua gjatë një proteste në Lafajet, Luiziana, ndërsa protestuesit kërkonin drejtësi për vrasjen e një njeriu me ngjyrë nga efektivë të policisë. Mes turmës ishte një grup i armatosur me njerëz me ngjyrë, burra e gra, të cilët e quajnë veten “Ne e kemi seriozisht” (“Not F**king Around Coalition”), ose NFAC.

Grupi i armatosur, me seli në Atlanta, Xheroxhia, është rritur së tepërmi në numër gjatë protestave të zhvilluara kundër sjelljes së policisë ndaj njerëzve me ngjyrë. Por, sipas themeluesit John Fitzgerald Johnson, edhe egërsia e tyre është shtuar. Prania e tyre ka krijuar trazira në qytetet ku janë shfaqur dhe nuk kanë munguar kritikat për përdorimin e armëve, edhe pse duke shtënë në ajër.

Grupi u krijua në vitin 2017, por ndryshe nga grupimet e të bardhëve që paraqiten nëpër tubime të armatosur për të treguar mbështetjen për Amendamentin e Dytë të Kushtetutës amerikane, Johnson thotë se organizata e tij ka si qëllim të kundërpërgjigjet ndaj brutalitetit të policisë dhe pabarazisë racore.

“Nuk kemi ndërmend të tallemi më me abuzimet që i bëhen komunitetit tonë dhe mosrespektimin e burrave, grave dhe fëmijëve tanë”, tha Johnson për CNN. Sipas tij, synimi i grupit është që të mbrojë dhe edukojë komunitetin e njerëzve me ngjyrë rreth armëve të zjarrit dhe të drejtat kushtetuese.

Grupet e armatosura të njerëzve me ngjyrë nuk janë diçka e re në Shtetet e Bashkuara, më i famshmi është grupi i Panterave të Zeza, themeluar në vitin 1966 pasi një adoleshent me ngjyrë u vra nga policia. Sipas Thomas Mockaitis, profesor historie në Universitetin “DePaul” në SHBA, ky grup ndryshon nga të tjerët, pasi është i armatosur më mirë dhe ka më shumë disiplinë. “Deri tani, ata janë koordinuar me policinë dhe kanë arritur të shmangin dhunën”, thotë Mockaitis.

Megjithatë, fakti që një grup personash me ngjyrë, të armatosur dhe në formacion ushtarak, mund të përballet një ditë në një tubim me një tjetër grup të armatosur, por me persona të bardhë, ka vënë në alert shërbimet e sigurisë në të gjithë qytetet dhe shtetet ku mbahen tubime e protesta, për të shmangur më të keqen.

Artikulli i mëparshëmFOTO: Charlie Hebdo “zhvesh” Presidentin turk Erdogan
Artikulli i radhësMbyllja e rrethrrotullimit ‘Shqiponja’ nuk rëndon vetëm trafikun