Komisioni Qendror Zgjedhor i përgjigjet përmes një letre kërkesës së Partisë Demokratike që kërkonte informacion për ecurinë e punës së KQZ-së në lidhje me vendosjen e kamerave në qendrat e votimit dhe të numërimit të votave.
Në përgjigjen e saj, KQZ-ja sqaron se është duke bërë vlerësimin për kostot finaciare të këtij projekti si edhe aspekte të tjera teknike.
Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhin i dërgoi KQZ dhe për dijeni, ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Delegacionit të BE-së në Tiranë, Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Anëtarëve të Komisionit Rregullator në KQZ, një letër ku thuhej se sipas marrëveshjes së 5 qershorit të miratuar me ligj dhe më 23 korrik 2020 palët politike kanë rënë dakord për përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave, në VNV-të. Por, sipas PD ende nuk është marrë asnjë masë nga KQZ për mundësimin e aplikimit të sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit.
Për këtë arsye PD i kërkoi kreut të KQZ-së Ilirjan Celibashit të marrë masa për instalimin dhe përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 prillit 2021.