Nga Pëllumb Nako
Një nga karakteristikat më zotëruse të aksionit politik dhe social të qeverisjes aktuale është “mënjanimi social” apo i njohur me termin ndërkombëtar “eskluzioni social”. i shoqëruar jo rrallëherë me spastrime, të cilat, në thelb, krijojnë vetëm tensione dhe aspak kohezion shoqëror si baza e paqes sociale. Nëse do të shiheshin me vëmendje mënyrat e shumta të veprimit të qeverisë në raport sidomos me administratën publike, do të konstatohej që rregullisht ajo u nënshtrohet herë operacioneve të spastrimit me sfond politik duke të kujtuar luftën e klasave, herë eskluzionit social me sjellje ekstremiste thuajse raciale, ku individë apo grupe individësh përjashtohen, izolohen ose kufizohen nga kontributi i tyre në shërbimet që duan të kryejnë ndaj shoqërisë për arsye që nuk kanë të bëjnë me etikën apo profesionalizmin e tyre, megjithëse ata kanë dëshirën, energjinë dhe ekspertizën e duhur për të kontribuar për shoqërinë.
Eskluzioni social, si koncept i përgjithshëm, përkufizohet si një mënyrë veprimi për mënjanimin i një personi ose një grupi personash nëpërmjet largimit të tyre nga mënyra e jetesës që mbizotëron në shoqëri. Ky fenomen mund të jetë edhe vullnetar, por edhe i detyruar. Fenomeni është mjaft i përhapur në vendin tonë si dhe në vende të tjera, duke sjellë për pasojë të parë radikalizimin me natyrë fetare e ideologjike.
Por ajo që është specifike për vendin tonë, mbetet fakti se fenomeni i eskluzionit social gjen një zbatim të ndërgjegjshëm, dritëshkurtër, cinik e me pasoja të rënda në ndërtimin dhe menaxhimin e administratës publike. Në administratë ka individë dhe grupe individësh, të cilët mënjanohen, izolohen nga drejtuesit politikë për motive, të cilat nuk kanë lidhje me profesionin. Përfitim nuk ka askush dhe dëm kanë të gjithë, e megjithatë kjo çmenduri vazhdon. Madje, ky lloj eskluzioni sanksionohet edhe me ligje apo akte nënligjore.
Fenomeni haset, pra, masivisht në administratën e vendit tonë, por sidomos në organizatën e madhe të Policisë. Në këtë të fundit, herë nëpërmjet ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe herë nëpërmjet akteve nënligjore pengohet kontributi i secilit anëtar nëpërmjet aftësisë profesionale. Një shtresë favorizohet dhe një tjetër kufizohet duke vënë ndërmjet tyre pengesa që nuk kanë lidhje me cilësinë e shërbimit të ofruar. Për fat të keq, edhe ligjet, edhe aktet e tjera nënligjore, të cilave u mungon tërësisht ligjshmëria, bëjnë që organizata e Policisë të pësojë mbi shpatullat e saj padrejtësi të shumta dhe eskluzion të mjaft individëve të saj. Dhe jo vetëm kaq, por organizata e Policisë aktualisht është organi më i pambrojtur ndaj akteve nënligjore absurde, të cilat e menaxhojnë.
Më konkretisht. Opinioni publik në përgjithësi dhe ai punonjësve të Policisë në veçanti, janë të njohur me nenin famëkeq nr. 49 të ligjit të Policisë së Shtetit, i cili pengon riardhjen brenda radhëve të Policisë të të gjithë atyre punonjësve të larguar prej saj, dy vite pas largimit të tyre. Ndërkohë që ndërmjet tyre shumica dërrmuese është larguar për shkurtim të funksionit dhe kanë fituar gjyqet civile. Një nen ky tipik me natyrë eksluzioni social të qëllimshëm, që pasoi spastrimin e Policisë. U deshën plot gjashtë vite për ta abroguar këtë nen të pistë të drejtimit politik të Ministrisë së Brendshme. Aktualisht me ndryshimet e fundit ligjore, nuk ekziston më “ndalimi absolut i rikthimit në radhët e Policisë pas një periudhë kohore prej dy vitesh”. Përse u bë ky ndryshim? Vetëm për rivendosje të drejtësisë nuk bëhet fjalë. As për një lloj autokritike për një nen absurd përjashtues.
Sepse ndryshimi i bërë, në fakt, nuk ka të bëjë aspak me atë ide që të krijohet fillimisht dhe që lidhet me një reflektim të mundshëm të qeverisjes aktuale të vendit për të hequr dorë nga politikat e saj të eskluzionit social nëpërmjet ligjeve me mungesë dramatike ligjshmërie. Me shumë gjasa, ky ndryshim ka të bëjë me fenomene të pritshme që kanë për sfond zgjedhjet e ardhshme politike që po trokasin. Sepse filozofia e kësaj qeverie për të ndërtuar një polici ku një grupim avantazhohet dhe të tjerë margjinalizohen, ose, më keq, ndalohen të ecin në karrierë apo edhe të japin kontributin e tyre, ka gjetur zbatim të qartë në akte të tjera të Ministrisë së Brendshme.
Projekti i ligjit për largim nga detyra i punonjësve në moshën 55-vjeçare kur mosha e pensionit të tyre është 65 vjeç nuk ka asnjë lidhje me parimet themelore, mbi të cilat funksionon administrata. Ai bën fjalë për një vizion dritëshkurtër të lidershipit të Ministrisë së Brendshme, e cila në këtë rast ka zbatuar parimin “pas meje qameti”. Po këtë vit, do të largohen nga puna 55-vjeçarët? Po vitin tjetër, po tjetrin? E përballon çdo vit këtë largim nga puna të 55-vjeçarëve buxheti?
Duket se Ministri i Brendshëm e ka pasion diskriminimin moshor. Këtë fakt e dëshmon edhe udhëzimi i tij i fundit lidhur me ngritjen në detyrë të inspektorëve të Policisë.
Në këtë udhëzim, ministri përcakton kriteret e punonjëseve të Policisë, të cilët, për të kaluar nga grada inspektor në kryeinspektor, do të kenë të nevojshme që, përveç cilësive profesionale, të jenë të moshës 27 deri në 35 vjeç. Duke parë këtë kufizim moshor për të marrë gradën dhe kriteret e paraqitura nga Ministri i Brendshëm në udhëzimin e tij, do të ndodhë që të gjithë punonjësit e Policisë që kanë gradën inspektor dhe kanë rezultate të mira në punë, që kanë aftësi fizikisht për të përmbushur përgjegjësinë dhe detyrat që u ngarkohen, që kanë aftësi të mira për zgjidhjen e problemeve dhe që kanë pesë vite eksperiencë pune, nuk do të mund të marrin dot gradën e kryeinspektorit sepse janë 36 vjeç apo më lartë dhe nuk janë nga 27 deri më 35 siç e thotë udhëzimi. Pra, kjo do të thotë që punonjës të mrekullueshëm, të cilët punojnë në terren, njohin mirë punën e tyre, që kanë cilësi të larta profesionale dhe etike, duhet të kenë tmerr të rriten e të bëhen 36 vjeç, se për ta ëndrra për të ecur para në mënyrë të ndershme profesionale është mbyllur nga disa dritëshkurtër, cinikë, shoqërisht të dëmshëm. Por duket që parimi, mbi të cilin është mbështetur udhëzimi, është më pak i zi sesa qëllimi i tij. Sepse nëse u referohesh kritereve moshore të përcaktuara nga 27 deri më 35 dhe vjetërsisë deri në 5 vite, kemi të bëjmë me një brez punonjësish policie të rekrutuar dhe të formuar në kohën që kur kjo qeveri erdhi në pushtet. Pra, i merret fryma një brezi për të favorizuar një tjetër.
Stili i kësaj qeverie për të ndërtuar një administratë dhe sidomos një polici nëpërmjet përjashtimit të një grupi individësh dhe favorizimit të një tjetri është filozofia mbizotëruese e saj, e qeverisjes që nuk synon të ndërtojë një shtet për të gjithë, në harmoni, në paqe sociale dhe me shanse të barabarta për çdo individ, por bën të kundërtën për të ndërtuar pushtet të bazuar mbi eskluzionin, mbi përjashtimin, mënjanimin, izolimin dhe tensionin social që i krijon mundësinë dhe pretekstin e duhur për të përdorur forcën.