Unë jam “Special One”; këto ishin fjalët e para të prezantimit të Jose Mourinhos te Chelsea në verën e vitit 2004. Përveçse një fitues në fushën e blertë dhe një lider absolut i ekipeve të tij, portugezi mbetet prej vitesh një nga personazhet më karizmatik të botës së futbollit.
Shumë e adhurojnë, të tjerë nuk e durojnë dot dhe e “urrejnë”, por Mourinho ka gjithmonë diçka për të thënë. Së fundmi ka folur rreth vetës së tij, duke mos e kursyer batutën dhe elozhet për një fenomen si Zlatan Ibrahimovic.
“Tani jam ‘Experienced One’, e përkufizoj vetën në këtë mënyrë, pasi kam fituar shumë eksperiencë. Në praktikë, gjithçka që po më ndodh në këtë moment të karrierës është si një ‘deja vu’, si diçka që më ka ndodhur edhe më parë.
Gjëja kryesore që nevojitet për të bërë punën e trajnerit është truri yt, një grumbullim i përvojës dhe njohurive vetëm mund t’ju përmirësojë. Disa profesione si ai i futbollistit, kërkojnë një gjendje të veçantë fizike: një 40-vjeçar nuk ka të njëjtin potencial si një 20-vjeçar, gjithmonë nëse nuk quhesh Zlatan Ibrahimovic“, deklaron Jose Mourinho.