Rihapet gara ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të Vlorës, pas një pezullimi 9-mujor për shkak të pandemisë.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi se gara është e hapur nga dita e sotme, 23 nëntor deri më 23 dhjetor. Ndërsa pas kësaj date do të vlerësohet oferta. Për herë të parë, gara për aeroportin e Vlorës është hapur në dhjetor të vitit të kaluar.
“Në 19 dhjetor të 2019-s hapëm garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Më pas, ngjarjet rrodhën ashtu siç ne nuk do deshëm, pandemia, mbyllja jo vetëm e Shqipërisë, por e së gjithë botës dhe për më tepër aviacioni civil, fusha më e goditur nga kjo pandemi, na bën që të merrnim një vendim, në ato momente të duhurin, bllokuam këtë proces, e ngrimë, për ta rihapur në një moment të dytë, atëherë kur investitorët ndërkombëtar do të kishin interes për t’u futur në garë. Ndoshta, për një moment të dytë, kur edhe institucionet financiare do kishin mundësi që të mbështesnin këtë projekt kaq të rëndësishëm dhe ambicioz, jo vetëm për Shqipërinë, padyshim, por për të gjithë rajonin, një shkallë më lartë në aviacionin civil. Tashmë ka ardhur koha që të rihapet kjo garë. Pas kërkesave të shumta që kemi pasur nga investitorët kemi vendosur që, duke filluar nga 23 nëntori, të hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operim e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, e cila do të qëndrojë hapur edhe për 30 ditë, deri në 23 dhjetor të këtij viti”.
Pas datës 23 dhjetor do të nisë vlerësimi i ofertave të ardhura.
“Më pas ne do të marrim kohën e duhur, një afat ligjor prej dy javësh për të vlerësuar ofertat. Një grup ekspertësh do të vlerësojë ofertat dhe do të bëjë të mundur shpalljen e fituesit brenda vitit.
Në mes të muajit janar, ne do kemi mundësi të nxjerrim një fitues. Shpresojmë një konsorcium ndërkombëtar i cili të jetë i denjë për ndërtimin e aeroportit të shqiptarëve. Unë shpresoj që ky lajm të jetë i mirë jo vetëm për qytetarët e Vlorës. Ky lajm është i mirë dhe i rëndësishëm për qytetarët e të gjithë Shqipërisë dhe për shqiptarët kudo që ndodhen në botë”.