Këtë javë, Kina do të zbulojë planet për të zgjeruar në mënyrë drastike një program eksperimental për modifikimin e motit, për mbulimin e një sipërfaqe prej 5.5 milionë kilometra katrorë; thuajse dyfishin e sipërfaqes së Indisë.
Sipas një deklarate të Këshillit të Shtetit, Kina do të arrijë të realizojë këtë projekt deri në vitin 2025, falë përparimeve në kërkimet themelore dhe teknologjitë kryesore, si dhe për shkak të avancimeve në parandalimin gjithëpërfshirës kundër rreziqeve të sigurisë.
Në pesë vitet e ardhshme, sipërfaqja do të mbulohet nga shiu artificial, apo reshjet e borës, ndërsa mbi 580.000 km katrorë do të mbulohen nga teknologjitë e zbutjes së breshërit.
Gjatë deklaratës u tha gjithashtu se programi do të ndihmojë në lehtësimin e katastrofave, prodhimin bujqësor, përgjigjet emergjente ndaj zjarreve në pyje dhe kullota, si dhe trajtimin e temperaturave jashtëzakonisht të larta, ose thatësirave.
Kina ka kohë që ka kërkuar të kontrollojë motin, për të mbrojtur zonat bujqësore dhe për të siguruar qiell të pastër për evente kryesore. Për shembull, ka krijuar re përpara Lojërave Olimpike të Pekinit në vitin 2008, për të zvogëluar smogun dhe për të shmangur shiun përpara kompeticioneve. Takimet kryesore politike të mbajtura në kryeqytetin kinez janë të njohur për qiellin e bukur dhe të pastër, falë modifikimit të motit dhe mbylljes së fabrikave aty pranë.
Si koncept, mbjellja e reve ka ekzistuar për dekada. Funksionon duke injektuar sasi të vogla të jodur argjendit në re me shumë lagështi, e cila më pas kondensohet rreth grimcave të reja, duke u bërë më të rënda dhe duke rënë përfundimisht si reshje.
Një studim i financuar nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës i SHBA, botuar në fillim të këtij viti, zbuloi se “mbjellja e reve mund të rrisë reshjet e borës në një zonë të gjerë, nëse kushtet atmosferike janë të favorshme”. Studimi ishte nga të parët që konstatoi përfundimisht se mbjellja e reve ka funksionuar, pasi më parë ka qenë e vështirë të dallosh reshjet e krijuara si rezultat i praktikës, nga reshjet normale të borës.
Kjo pasiguri nuk e kishte ndaluar Kinën të investonte në teknologji: midis 2012 dhe 2017, vendi shpenzoi mbi 1.34 miliardë dollarë në programe të ndryshme të modifikimit të motit. Vitin e kaluar, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve, “Xinhua”, modifikimi i motit ndihmoi në uljen me 70% të dëmtimeve nga breshëri në rajonin perëndimor të Kinës, Xinjiang, një zonë kryesore bujqësore.