Shifrat zyrtare/ Sa gomerë ka në Shqipëri?

0

Në vitet ’20 Shqipëria ishte ndër vendet e pakta në botë që kishte më të zhvilluar transportin ajror sesa atë rrugor, kjo edhe për faktin se në atë periudhë mungonin rrugët.

Në atë kohë, mjetet e transportit ishin masivisht kafshët si kuaj, mushka apo gomerë që përdoreshin për tërheqjen e karrocave.

Zhvillimi i transportit ajror në këto kushte prodhoi jo pak habi, e madje edhe ironi. Në shtypin e kohës, do të publikoheshin shkrime që analizonin situatën e transportit në Shqipëri, duke e cilësuar si paradoksal faktin se dy mjetet kryesore të transportit ishin gomari dhe avioni.

Por me kalimin e viteve situata e transportit publik dhe i përdorimit të kafshëve në bujqësi ka ndryshuar. Motorizimi i vazhdueshëm i shoqërisë shqiptare i ka lënë ‘pa mision’ disa kafshë si gomari apo mushka, që tradicionalisht i shërbenin funksioneve të transportit dhe punimit të tokës.

Nëse analizojmë shifrat e INSTAT, rezulton se që nga viti 2000 e deri në vitin 2019 numri i njëthundrakëve ku përfshihen kuajt, gomerët dhe mushkat është pakësuar ndjeshëm me një rënie prej 107 mijë krerësh.

Në vitin 2019, numri i njëthundrakëve  në Shqipëri ishte 87 mijë, nga të cilat 32 mijë ishin kuaj dhe pjesa tjetër gomerë e mushka. Ndryshe nga sa po ndodh me numrin e kuajve që  ndër vite duket me i stabilizuar duke mos njohur rënie, me gomerët dhe mushkat ndodh ndryshe. Numri i këtyre të fundit po njeh rënie të fortë dhe po pakësohen nga viti në vit, me thuajse 1 mijë krerë më pak çdo vit.

Në fshatrat e Shqipërisë, numri i kafshëve njëthundrake po njeh rënie gjithnjë e më shumë edhe pse nuk mungojnë tentativat për të ridimensionuar në kohë ‘misionin e tyre’,  tashmë duke i mbarështuar për prodhime bulmeti.

Djathi dhe qumështi i gomaricës janë kthyer në një produkt mjaft të kërkuar dhe të kushtueshëm. Kjo ka bërë që në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit (Serbi) të ndërmerren iniciativa për grumbullimin e mbarështimin e gomerëve,  me qëllim prodhimin e bulmetit të kushtueshëm.

Artikulli i mëparshëmNafta pritet të kapë çmimin më të lartë prej muajit mars pas lajmeve nga OPEC +. Bursa për datën 3 Dhjetor 2020
Artikulli i radhësKina “pushton” edhe qiellin – Projekti gjigand për shi, borë dhe diell artificial