Edhe pse ministri i Brendshëm ka dhënë dorëheqje, protesta në Tiranë nuk njeh të ndalur.
Ndryshe nga një ditë më parë, protestuesit kanë ndërruar strategji duke u shpërndarë nëpër grupe më të vogla.
‘Lufta’ e tyre guerile ka bërë që qendra e Tiranës dhe bulevardi kryesor të zhyten në kaos.
Në fillim, protestuesit goditën me sende të forta policët dhe ministrinë e punëve të brendshme e më pas u shkuan para kryeministrisë.
Kordona policie i mbrojtën dy institucionet dhe përdorën ndaj protestuesve makina me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit u shpërndanë në grupe më të vogla, duke goditur institucione të tjera pranë shëtitores ‘Dëshmorët e Kombit’, duke përfshirë edhe ministrinë e financave.
Forcat e rendit po i ndjekin grupet e protestuesve përgjatë shëtitores.
Në sheshin Skënderbej po ashtu policia po largon protestuesit e mbledhur në afërsi të Bankës së Shqipërisë, ku gjendet edhe selia e Partisë Socialiste.
Grupe më të vogla protestuesish janë zhvendosur në lulishten në krah të presidencës. Aty është hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve.