Shorti i Championsit/ Ja përballjet BIG që rrezikohen

0

Jyrgen Klop mund të rikthehet në Gjermani në duelin e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, në një transfertë të Liverpulit ndaj Borusia Mynshengladbahut në shortin e së hënës në Nion të Zvicrës. Një llogaritje e probabiliteteve të 8 çifteve të mundshme tregon se tri klubet angleze të kualifikuara në 16 skuadrat më të mira të turneut, Liverpuli, Mançester Siti dhe Çelsi, të cilat u renditën në vendin e parë në grupet e tyre, statistikisht kanë më shumë shanse që të përballen me ekipin e Marko Rouz në duelin e parë me eliminim direkt. Klubet gjermane kanë vetëm 5 alternativa të mundshme në short, për shkak se kanë dy klube në vazon e parë (Bajernin dhe Dortmundin) dhe dy në vazon e dytë (Gladbahun dhe Lajpcigun).

Ky nuk është një lajm i mirë për Barcelonën, që humbi vendin e parë ndaj Juventusit në javën e fundit dhe gjasat më të mëdha i ka të shortohet kundër kampionëve në fuqi të Bajernit të Mynihut. Bavarezët i kanë shanset të kapin një klub spanjoll, ose Sevijen, ose Barcelonën. Skuadra e Lionel Mesit do të preferonte që ta shmangte një përballje që në këtë moment me fituesit e tripletës. Hera e fundit që këto dy skuadra u përplasën, ishte në “Final 8” në Lisbonë sezonin e shkuar. Ajo çerekfinale me një ndeshje për shkak të ndryshimit të formulës prej Koronavirusit, i kushtoi stolin Kike Setienit, pas humbjes historike 8-2.

Mënyra se si funksionon matematika në tabelën e probabiliteteve llogaritet si më poshtë: 16 ekipet e kualifikuara në këtë fazë do të ndahen në dy vazo, ato që u renditën të parat në grup dhe ato që u renditën në vend të dytë. Megjithatë, në këtë fazë të turneut, skuadrat nga i njëjti shtet do të veçohen, ashtu si ato që luajtën në të njëjtin grup kundër njëra-tjetrës. Dhe kjo i redukton shanset e një klubi për t’u përballur me një ekip të caktuar. Fakti që përqindjet e probabiliteteve nuk janë të njëjta, vjen për shkak se disa skuadra kanë shanse që të shortohen kundër 5 ekipeve të mundshme, ndërkohë që të tjera skuadra kanë gjashtë apo shtatë opsione dhe kjo ndryshon vlerat. Juventusi dhe Gladbahu kanë të dyja pesë mundësi shortimi dhe kështu kanë më shumë gjasa që të përballen.

Ndërkohë që Reali mund të shortohet vetëm me katër skuadra (Lajpcigun, Porton, Atalantën dhe Lacion). Në shortin e së hënës ka 4 klube gjermane, 4 spanjolle, 3 angleze, 3 italiane, 1 franceze dhe 1 portugeze. Sipas llogarive, Liverpuli që u rendit në vend të parë në grupin me Atalantën që u klasifikua pas tyre, ka 18.38% shanse që të shortohet kundër Gladbahut. Çelsi, që fitoi grupin përpara Sevijes, ka akoma më shumë gjasa që të udhëtojë drejt “Borussia Park”, 18.62%. Siti ka shanse të mëdha të luajë kundër Atalantës (12.4%). Portoja, që u rendit në vend të dytë në grupin e Sitit, është rivali i preferuar i ekipeve të vazos së parë dhe skuadra e Zidanit ka shanset më të mëdha për të gjetur komshinjtë luzitanë në goglat e së hënës.

Artikulli i mëparshëmNafta tregtohet e qëndrueshme. Të dhënat jozyrtare në SHBA tregojnë rritje të rezervave me 1.14 mln fuçi. Bursa për datën 10 Dhjetor 2020
Artikulli i radhës‘Arrest me burg’ për efektivin e policisë që vrau 25-vjeçarin