Vazhdon ‘maratona’ e protestave për vrasjen e Klodian Rashës në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Është aktivisti Genc Sejko, ai që ka shpërndarë sërish banderolën kryesore për protestën e sotme. Bëhet me dije se të gjithë protestuesëve u kërkohet që të mblidhen në sheshet kryesore të vendit për të nisur protestën në orën 18:00 të pasdites.
Kërkesat e protestuesëve kësaj herë janë katër: Jo dhunës policore; Lironi shokët tanë; Shkarkoni Ardi Veliun dhe Reformim të Policisë së Shtetit.”
Tubimet nisën pas ngjarjes së rëndë që ndodhi të martën në Laprakë, kur efektivi Nevaldo Hadëraj qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun, pasi nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje. Klodian Rasha u qëllua në kokë dhe në shpinë dhe sipas prokurorisë e gjithë ngjarja ndodhi në më pak se 3 minuta.
Vrasja ka hapur një valë zemërimi dhe inati ndaj qeverisë, ku pas presionit nga protestat masive ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen. Qindra të rinj, të palidhur me asnjë parti politike, kërkojnë edhe sot largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu ndërsa nuk munguan as përplasjet me efektivët që ishin lënë në terren për të menaxhuar mbarëvajtjen e protestës.