Të hënën do të hapet zyrtarisht gara ndërkombëtare për të ndërtuar tunelin e Llogarasë. Vepra do të financohet me paratë e buxhetit të shtetit dhe do të kushtojë 155 milionë Euro.
Ftesën për kompanitë me eksperiencë në këtë fushë e ka bërë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, pas përfundimit të projektit të detajuar inxhinierik nga kompania austriake IC Consulting. Balluku tha se tuneli bashkë me aeroportin e Vlorës do ta kthejnë jugun e vendit në një hot-spot të turizimit në rajon.
“60 ditë afat për tenderin ndërkombëtar, do zgjedhim kompani me portofol punësh të ngjashme që ta dorëzojë tunelin sipas afatit. Hapet një portë e re në jug të vendit dhe kthehet në hotspot turistik për rajonin e Mesdheun”.
Tuneli do të jetë i gjatë 5 kilomtara e 992 metra. Ai do të lidhet një hyrje dhe dalje të tij me dy ura, nga 110 dhe 40 metra të gjatë, ndërsa në dalje do të ofrojë edhe një panoramë viziuale për kalimtarët. Siguritë teknike dhe gjeologjike janë studiuar për të mos dalë të papritura gjatë projektit, ndërsa do të krijohen hapësira për depozita uji në raste zjarri dhe ventilim të shpejtë. Vepra do të nisë ndërtimin në prill dhe pritet të përfundojë pas 3 vjetësh.
“Do të përfundojë brenda 36 muajsh por ne do të kërkojmë të bëhet dhe më shpejt, në 2024 do të jetë i operueshëm”.
Ofertat e kompanive për ndërtimin e tunelit do të priten për 60 ditë e më pas do të vlerësohen nga komisioni për të zgjedhur atë më të suksesshmen. Tuneli i Llogarasë do të përshkohet për 7 minuta duke reduktuar ndjeshëm kohën prej 55 minutash që i duhet sot automjeteve për të përshkruar qafën e Llogarasë.