Faturë online me shtetin nga 1 janari

0
Faturë online me shtetin nga 1 janari

Nga 1 janari, të gjitha bizneset që kanë marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë vetëm faturë elektronike si dokumentacion të vlefshëm tatimor, në bazë të ligjit të ri për fiskalizimin.

Ky është hapi i parë për vënien në funksionim të sistemit të ri të fiskalizimit, i cili do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si bizneset sot kryejnë faturimet.

Drejtoria e përgjithshme e tatimeve ka njoftuar se duke filluar nga 1 Janar 2021, organet publike do të jenë në gjendje të marrin dhe të përpunojnë fatura elektronike në përputhje me standardin europian EN.16931. Sipas tatimeve janë rreth 7600 subjekte të cilët gjatë vitit 2020 kanë kryer transaksione me entet publike.

Hapi i parë që këto subjekte të fillojnë lëshimin e faturave online është marrja e certifikatës elektronike që jepet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila mundëson nënshkrimin elektronik.

Burime nga AKSHI thanë për Monitor, se deri tani janë pajisur me certifikatë elektronike 335 subjekte private, nga 376 që kanë aplikuar.

Burimet zyrtare nga AKSHI thanë se të gjitha subjektet, që kanë paqartësi apo pyetje mbi procedurën e aplikimit për t’u pajisur me certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, të kontaktojnë në adresën e e-mailit: pki@akshi.gov.al, për të marrë asistencën e nevojshme.

Por, si funksionon konkretisht procesi, që nga aplikimi,  mënyra e pagesës, sa kushton certifikata dhe pajisja që merret herën e parë që bëhet aplikimi.

Sipas AKSHI, ky shërbim ofrohet online duke aplikuar në portalin e-Albania, nga llogaria e biznesit në shërbimin: Aplikim për certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit:

Aplikim për certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit

I gjithë aplikimi jo me shume se 5 minuta.

Aktualisht, pagesa e shërbimit prej 4,000 lekë dhe mund te kryhet online, nëpërmjet çdo lloj karte krediti/debiti duke përdorur modulin e bankës Credins (edhe nëse subjekti s’ka llogari bankare në këtë bankë).

Sipas AKSHI, tashmë është bërë e mundur që pagesa të kryhet edhe me mandat-pagesë, ku çdo subjekt pasi të ketë shkarkuar dhe printuar formatin e mandat-pagesës nga formulari i aplikimit dhe të ketë kryer pagesën në çdo bankë të nivelit të dytë, duhet te bashkëngjise faturën e pagesës me firmë e vulë të bankës, të skanuar në formatin pdf.

Në fund të procedurës, certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit i dërgohet subjektit në adresën e e-mailit, të vendosur nga ana e tyre, në formularin e aplikimit.

Certifikata elektronike e lëshuar ka afat vlefshmërie 1-vjeçar, ndërsa afati për marrjen e këtij shërbimi bëhet i mundur brenda 3 ditëve.

Nga 1 shtatori, të gjitha bizneset vetëm fatura online

Nga 1 korriku 2021, sistemi i ri do të fillojë të zbatohet për transaksionet pa para në dorë, ndërmjet tatimpaguesve, dhe nga 1 shtatori i vitit të ardhshëm është ndryshimi më i madh, pasi do të nisë zbatimi për transaksionet me para në dorë për të gjitha bizneset.

Subjektet e vogla do të kenë si detyrim të aplikojnë për të bërë nënshkrimin elektronik i cili do të ketë një vlerë prej 4 mijë lekësh në vit./MONITOR

Artikulli i mëparshëmPse kaq shumë të rinj vdesin nga COVID në Shqipëri?!
Artikulli i radhësHoteleri, bien 50% punësimi dhe pagat