Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dhënë një intervistë për sportin në Top Albania Radio, por ka futur edhe nota të politikës në të. Kreu i shtetit thotë se e sfidon kryeministrin në basketboll në praninë e kamerave, duke mos pasur merak fare për arbitrin ndërsa për Berishën thotë se nuk e arrin dot në not.
“Më pëlqen sporti sepse është adrenalinë, largon toksinat dhe të argëton. Madje dua t’ju siguroj që edhe në ping-pong jam shumë mirë. Nuk mund të them të njëjtën gjë në çdo lloj sporti. Në të gjitha sportet aktive mendoj se nuk jam keq.
Dashuria më e madhe është ngjitja në male, kjo më ka tërhequr shumë, sepse është edhe e shëndetshme, por të jep edhe mundësinë të shikosh gjëra të reja, të bukura që nuk i ke parë kurrë ose i ke parë nga avioni.
Absolutisht vendi i parë në not është i paprekshëm, absolutisht. Do të luftoja për vendin e dytë. Për basketbollin kur të dëshironi për 3-pikësh jam i paparë.
Edhe si organizator, por për 3-pikësh jam i paparë, kur të dëshironi me kamera. Për faulla ma merr ai (nënkupton Ramën), por për 3-pikësh jam i sigurt që fitoj. Nuk ka problem fare për arbitrin” – tha Meta.