Me rastin një vjetori i krijimit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK), e cila ka filluar ushtrojë funksionet e saj nga data 19 Dhjetor 2019, ka bërë edhe një përmbledhje të punës.
Në një njoftim për mediat Struktura e Posaçme bën me dije se për një vit janë regjistruar gjithsej 225 procedime penale me 271 persona në hetim.
“204 procedime me 233 persona në hetim kanë ardhur nga Prokuroria për Krime të Rënda. 21 procedime me 38 persona në hetim kanë ardhur nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, si dhe procedime të kthyera për hetim nga Gjykata e Posaçme”, njofton SPAK.
Po ashtu bëhet njoftohet, se për 1 vit janë hetuar gjithsej 568 procedime penale me 704 persona në hetim.
“162 procedime penale me 255 persona në hetim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar. 240 procedime penale me 209 persona në hetim për veprat penale që lidhen me korrupsionin. 166 procedime penale me 240 persona në hetim për veprat penale të tjera”, vazhdon njoftimi.
Ndërkohë njoftohet se janë dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 59 kërkesa. Në periudhën 19.12.2019 – 19.12.2020 janë hetuar 310 raste hetime pasurore, shton më tej SPAK.