Prokuroria ndryshoi akuzën për policin, flet Qazim Rasha: Kam besim tek shteti, ngjarje si kjo ndodh 1 herë në shekull

0

Featured image of article: Prokuroria ndryshoi akuzën për policin, flet Qazim Rasha: Kam besim tek shteti, ngjarje si kjo ndodh 1 herë në shekull

Qazim Rasha, babai i Klodian Rashës, i riu që u vra nga Policia e Shtetit, thotë se ka besim tek shteti. Në një prononcim për News 24, Qazimi rrëfen se kjo ngjarje, sot që e sheh pas disa ditësh i ngjason me një film hollivudian, por që siç thotë ai “më ra mua për pjesë”. Por teksa është pyetur për ndryshimin nga akuza të Prokurorisë për ish-policin Nevaldo Hajdaraj, i cili do të gjykohet për vrasje me dashje dhe jo “vrasje në rrethanat e tejkalimit të mbrojtjes”, Rasha thotë se ka besim tek drejtësia.

“Jemi bij të këtij shteti, kërkojmë drejtësi prej tij. Drejtësia shëron plagët, ajo shëron zemrat. Përveç shtetit, kush mund të bëjë drejtësi? Kur shteti kërkon të nxjerrë të vërtetën, ka një lehtësim. Kërkova drejtësi që ditën e parë e vijoj ta kërkoj. Kam besim të plotë që çdokush e ndjen dhimbjen time. S’ka fije dyshimi që gjërat do të shkojnë atje ku duhet. Raste të tilla ndodhin njëherë në shekull. Unë nuk e kisha menduar kurrë se do më ndodhte. Kurrë mos ndodhtë ajo që më ndodhi mua. Kam besim se shteti do të bëjë punën e vet”, ka thënë mes të tjerash Qazim Rasha.

Prokuroria e Tiranës ndryshoi akuzën tri ditë më parë për Nevaldo Hajdarajn. Prokuroria e akuzon atë për “vrasje me dashje” dhe efektivi rrezikon deri në 20 vite burg. Ai akuzohet se e vrau pa shkak të riun Klodian Rasha 2 javë më parë në Laprakë, ngjarje që solli edhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Solidarizimi me ngjarjen ishte aq i madh, sa kryeministri Edi Rama shkoi tri herë në familjen Rasha për të ‘shuar’ zemërimin. 

Artikulli i mëparshëmShihni veshjen e ambasadorit shqiptar në Malin e Zi dhe krahasojeni me Dritan Abazin
Artikulli i radhësBE pranë marrëveshjes tregtare me Kinën