Miratimi i vaksinës nga EMA zgjat më shumë, por është më i rreptë dhe nuk i liron prodhuesit nga përgjegjësia. Në Britaninë e Madhe dhe SHBA kanë nisur tashmë vaksinimet me BNT162b2, ky është emri zyrtar i vaksinës së koronës të BioNTech dhe Pfizer, pasi të dy vendet e miratuan atë sipas rregullave autorizimit për përdorim në raste emergjente.
Nga Alexander Freund, Deutsche Welle.
Ky vendim ndezi një debat se pse Bashkimit Evropian po i duhet kaq shumë kohë për ta miratuar vaksinën.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) vendosi ndërkohë t’i miratojë më parë vaksinat – për kandidatin e vaksinës të BioNTech-Pfizer nga 29 më 21 dhjetor dhe për vaksinën e prodhuesi amerikan Moderna nga 12 në 6 Janar.
Qëllim i njëjtë, rrugë të ndryshme
Bashkimi Evropian nuk dëshiron një autorizim emergjent për vaksinat, por një “autorizim të kushtëzuar” sipas një “procedure të përshpejtuar”. Pas këtyre termave teknikë qëndron një filozofi e ndryshme.
Një “autorizim i kushtëzuar” sipas një “procedure të përshpejtuar” zgjat më shumë, por është më i kujdesshëm, sepse si para dhe pas autorizimit kontrollohen më shumë të dhëna, sepse procesi i prodhimit monitorohet, sepse autorizimi për përdorim është më i gjatë dhe gjithashtu sepse prodhuesit nuk përjashtohen nga përgjegjësia për efektet anësore të vaksinës që prodhojnë.
Por edhe procedura e përshpejtuar zgjat. Dhe megjithë nevojën urgjente zyrtarët e BE-së nuk morën rrugën e shkurtër. Si me çdo vaksinë tjetër edhe në rastin e vaksinës kundër Covid BE respekton përfundimin e të tri fazave të provës klinike dhe vlerësimin e të gjitha të dhënave.
Disavantazhet e një aprovimi urgjent
SHBA, Britania e Madhe dhe një numër vendesh të tjera zgjodhën një qasje tjetër. Autoritetet e tyre shëndetësore e miratuan vaksinën e BioNTech Pfizer për përdorim në raste emergjente. Kjo do të thotë që mjekët mund ta përdorin vaksinën para se të vlerësohen plotësisht të dhënat për sigurinë dhe efektet anësore. Kjo kursen kohë, por gjithashtu përmban dhe rreziqe.
Autorizimi i kushtëzuar nga Agjencia Evropiane e Barnave do të thotë nga njëra anë një kontroll më të përimtë, por edhe që BioNTech-Pfizer mbajnë përgjegjësi për efektet anësore të vaksinës të tyre. Në rastin e autorizimit për përdorim në raste emergjente për dëmet e shkaktuara prej efekteve anësore përgjegjësinë e mban shteti, por dëmshpërblimet janë më të ulëta se në rastet e tjera.
Autoritetet e BE-së e refuzuar këtë rrugë dhe zgjodhën rrugën disi më komplekse të autorizimit të kushtëzuar për tregun e BE-së, të cilën ata e konsideruan më të sigurt. Sidoqoftë të gëzon fakti që edhe “miratimi i përshpejtuar” nuk zgjati shumë më tepër se aprovimi për përdorim në raste emergjente.