Nga Blerina Ruka-Montreal, Kanada
Janë më shumë se 1.6 milionë shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit.
Shifrat janë bërë publike nga INSTAT në ditën ndërkombëtare të emigrantëve.
Të dhënat flasin për një rritje të numrit të shqiptarëve që ikin nga vendi, për një jetë më të mirë.
Pjesa dërrmuese e të ikurve janë pjesa më vitale e vendit, mes moshave 20 dhe 50 vjeç.
Më poshtë keni edhe një historik të diasporës shqiptare ndër vite dhe vendet kryesore ku janë vendosur shqiptarët.
Historiku i Diasporës shqiptare është i hershëm. Vetë pozita e vendit ku jetojnë shqiptarët është e tillë që i bën ata të lëvizin në drejtime të ndryshme. Diaspora shqiptare është heterogjene në dy pikëpamje: të kohës së mërgimit, si dhe në pikëpamje të regjionit prej nga kanë ardhur.
Duke analizuar aspektin kohor, bashkësitë më të vjetra shqiptare përbëhen nga arbëreshët në Itali dhe arvanitasit në Greqi. Të parët kanë arritur që për shekuj të ruajnë identitetin e tyre, kurse të dytët, janë në fazën përfundimtare të asimilimit të plotë, edhe pse mbase ka shpresë që kjo bashkësi të njohë një ringjallje sado të vogël.
Në radhën e këtyre bashkësive të vjetra mund të hyjë pa mëdyshje edhe bashkësia shqiptare e Egjiptit. Pas këtyre vijnë bashkësitë shqiptare në Turqi, SHBA, Belgjikë, Australi e në ndonjë vend tjetër. Të fundit vijnë mërgimtarët e katër dekadave të gjysmës së dytë të shek. XX.
Shumica e tyre janë vendosur apo bëjnë përpjekje të vendosen në shtetet e ndryshme të Evropës Perëndimore, në SHBA dhe Kanada. Këtu vlen të përmendim edhe 500 mijë qytetarë të Shqipërisë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë, pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës, u shpërngulën në Greqi, Itali si dhe në vende të tjera evropiane.
Diaspora në Itali
Arbëreshët u vendosën në Itali në shekujt XIV-XV dhe emigruan kryesisht për shkak të zhvillimeve politike e luftarake në Shqipëri. Komuniteti arbëresh ka ruajtur origjinën, gjuhën, kulturën e traditat shqiptare. Arbëreshët kanë dhënë e po japin një kontribut të shquar në historinë, kulturën dhe jetën shoqërore të Italisë. Nga arbëreshët kanë dalë mjaft personalitete të shoqërisë e kulturës italiane dhe shqiptare. Arbëreshët përbëjnë një nga pakicat etno gjuhësore më të mëdha në Itali. Prej vitit 1999, gjuha ‘arbreshe’ njihet nga qeveria italiane si gjuha e ‘pakicës etnike dhe gjuhësore.’
Në fillim të viteve 1990 shqiptarët emigruan masivisht drejt Italisë, duke formuar për nga numri komunitetin e dytë më të madh të emigrantëve në këtë vend.
Diaspora në Greqi
Migrimi i arbëreshëve në Greqi filloi në fund të shekullit të 13-të dhe mbaroi rreth vitit 1600 nga një rajon e quajtur Arbëria, e cila ishte pjesë e Despotetit të Epirit dhe i cili sot është rajoni qendror i Shqipërisë moderne. Arbëreshët së pari migruan në Thesali rreth vitit 1325 përmes rrugëve të udhëtimit që kishin shkuar në jug-lindje duke kaluar pellgun e sipërme të lumit Bistricë dhe me anë të Korçës, Kosturit dhe Grebenesë mbërritën në fushë të Thesalisë. Një tjetër pikëpamje mban se kjo migrimi ka ndodhur nga zbritëse jug-perëndim përmes rajonit të Janinës dhe Atolo-Akarnania dhe shkuan prej andej në Thesali.
Gjithashtu në Greqi ndodhet komuniteti më I madh I emigrantëve shqiptarë, të cilët u vendosën në këtë vend pas vitit 1990. Emigrantët shqiptarë janë një vlerë e shtuar për ekonominë dhe shoqërinë në Greqi. Ata janë integruar me sukses në tregun e punës dhe në shoqërinë vendase.
Diaspora në Bullgari
Diaspora në Bullgari nisi të formohej prej shekullit XV, nga migrimi i popullatës kryesisht nga Korça, Elbasani, Çermenika, Golloborda, Dibra etj. Këto flukse ndodhën për shkak të përpjekjeve prej Perandorisë Osmane, por edhe duke migruar si punonjës stinorë, zejtarë, tregëtarë etj. Më vonë një pjesë e tyre u vendosën në Ukrainë, ndërsa një grup tjetër në Trakinë jugore. Një valë tjetër migrimi ndodhi gjatë shekujve XIX-XX, të cilët u vendosën në Sofie me marrëveshjen dypalëshe për mbrojtjen e pakicave.
Diaspora në Turqi
Në Turqi ndodhet diaspora më e madhe shqiptare. Shqiptarët në Turqi kanë emigruar në të gjitha kohërat, duke filluar prej shekullit XVI, kur viset shqiptare ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Shumica e tyre u shpërngulën në periudhën e Rilindjes dhe u vendosën në Stamboll dhe në disa qytete të Turqisë Aziatike, si Izmir, Bursë dhe Ankara. Migrimi masiv nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare drejt Turqisë ndodhi në katër periudha. Vala e parë ndodhi pas Traktatit të Lozanës në vitin 1923, vala e dytë pas marrëveshjes Ataturk-Stojadinovic në vitin 1938, ndërsa vala e tretë pas marrëveshjes së fshehtë Tito-Kyprili të vitit 1953. Një valë e katërt ndodhi në fillim të viteve 1970.
Diaspora në Rumani
Diaspora në Rumani është ndër më të shquarat për nga kontributi për pavarësinë e Shqipërisë. Ajo ishte një ndër vatrat më të fuqishme të Rilindjes Kombëtare. Migrimi ndodhi përgjatë shekujve XVII-XX.
Diaspora në Kroaci
Diaspora në Kroaci është diaspora e fundit që ruajti emërtimin arbënesh ose arbanë. Diasporat pas vitit 1731 u quajtën diaspora shoqiptare. Shqiptarët që migruan në fillim të viteve 1750 u vendosën në Hrtkovc dhe Nikinc.
Diaspora në Egjipt
Në Egjipt që nga fillimi i shekullit XVIII, me vendosjen e Mehmet Ali pashës si vali i Egjiptit, numri i shqiptarëve atje ishte rritur vazhdimisht. Dinastia shqiptare e Mehmet Ali pashës kishte sunduar vendin e faraonëve për 150 vjet, nga viti 1805 deri më 1952. Meqenëse shumica e tyre ishin ushtarë, ata ishin shpërndarë edhe nëpër vise të tjera, si në Palestinë, Siri, Liban, Libi, Hixhaz, Jemen e Sudan. Këtë më së miri e vërtetojnë pasardhësit e shumë familjeve me origjinë shqiptare që jetojnë sot atje me mbiemrin Arnauti ose El-Albani.
Diaspora në Ukrainë
Shqiptarët filluan të emigrojnë drejt Ukrainës në fillim të shekullit XVIII, por valët më të mëdha migruese ndodhën në fillim të shekullit XIX, për tu shpëtuar trazirave e rreziqeve të luftërave ruso-turke.
Diaspora në Liban
Familjet e para prej viseve shqiptare mbërritën në Liban në shekullin e XVIII, në kohën e Mehmet Ali Pashës, valiut shqiptar të Egjiptit. Rrënjët e Diasporës shqiptare të Libanit janë edhe familjet e emigruara në kohën e Vaso Pashës, Guvernatorit shqiptar të Libanit.
Diaspora në Slloveni dhe Bosnje-Hercegovinë
Valët migratore të shqiptarëve drejt Sllovenisë dhe Bosnje-Hercegovinës kanë ndodhur kryesisht prej viseve të Shqipërisë Veriore, Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Numri i shqiptarëve u shtua gjatë dekadave të para të shekullit XX. Pas luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Kosovës u vendosën në Slloveni dhe Bosnje-Hercegovinë në kontekstin e lëvizjes brenda ish-Jugosllavisë, kryesisht për punë, studime ose arsye politike.
Diaspora në Argjentinë
Diaspora shqiptare në Argjentinë është formuar prej diasporës arbëreshe. Fluksi më I madh drejt Argjentinës ndodhi në fillim të shekullit XX dhe shumica e tyre u vendosën në kryeqytetin Buenos Aires.
Diaspora në Siri
Shqiptarët migruan në Siri në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane, gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, në kohën kur po rriteshin përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë. Një valë tjetër ndodhi gjatë viteve 1912-1913, kur shqiptarët migruan në këtë vend për t’i shpëtuar represionit serb. Shqiptarët e Sirisë janë vendosur kryesisht në Damask dhe në disa qytete të tjera të mëdha të këtij vendi.
Diaspora në Rusi
Shqiptarët filluan të migrojnë në Rusi rreth fundit të shekullit XIX, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet viseve të tjera të ish Perandorisë Osmane. Këto valë migrimesh ndodhën për shkak të nevojave të mëdha për fuqi punëtore në sektorët e industrisë, hekurudhave etj. Gjatë viteve 1920-1930 në ish-Bashkimin Sovjetik u vendosën mjaft emigrant politikë shqiptarë.
Diaspora në Australi
Valët e para migratore të shqiptarëve drejt Australisë filluan në fund të shekullit XIX dhe u zgjeruan në dekadat e para të shekullit XX, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Diaspora në Zvicër
Diaspora shqiptare në Zvicër përbëhet nga dy grupime: shqiptarët nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare të-ish Jugosllavisë, që emigruan në Gjermani, pas vitit 1971, me heqjen e vizave dalëse nga ky vend, dhe shqiptarët nga Shqipëria që migruan pas vitit 1990. Grupi i parë i diasporës shqiptare u shndërruan gradualisht nga emigrant ekonomikë në një komunitet emigrantësh politikë dhe mbështetën fuqishëm luftën për pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët përbëjnë aktualisht popullatën e katërt më të madhe në Zvicër.
Diaspora në Gjermani
Shqiptarët nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare emigruan në Gjermani pas vitit 1971, me heqjen e vizave dalëse nga ish Jugosllavia. Pas vitit 1990 drejt Gjermanisë migruan dhjetra mijra shqiptarë nga Shqipëria.
Diaspora në Mbretërinë e Bashkuar
Prej fillimit të shekullit XX në Mbretërinë e Bashkuar kishin migruar disa intelektualë shqiptarë. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, në Londër ishin vendosur një grup i vogël ish krerësh të organizatave antikomuniste, por pa ndikim në jetën e vendit pritës dhe të Shqipërisë. Diaspora shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar filloi të formohet pas vitit 1990, prej shqiptarëve emigrant ekonomikë nga Shqipëria si edhe prej disa grupimeve azil kërkuesish nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në rajon. Prezenca e shqiptarëve u rrit pas krizës së Kosovës në vitin 1999, ku dhjetëra mijëra shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe Shqipëria, u vendosën në këtë vend.
Diaspora në Kanada
Shqiptarët filluan të migrojnë në Kanada pas vitit 1990, duke përfituar kryesisht nga mundësitë që ofron programi i migrimit në këtë vend të specialistëve të kualifikuar.
Diaspora në Belgjikë
Diaspora shqiptare në Belgjikë u formua kryesisht pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes në Shqipëri të regjimit komunist. një pjesë e përfaqësuesve të organizatave antikomuniste, shumica me prirje monarkiste, u vendosën në këtë vend për tu organizuar e siguruar mbështetje për përmbysjen e regjimit komunist. pas vitit 1971, me heqjen e vizave dalëse nga ish Jogusllavia, shqiptarët nga Kosova dhe republikat e tjera t ëish Jogusllavisë, u vendosën në këtë vend si emigrant ekonomikë. Pas vitit 1990 në Belgjikë emigruan edhe mjaft shqiptarë nga Shqipëria.
Diaspora në Vendet Skandinave
Diaspora shqiptare në vendet skandinave përbëhet nga tre grupime kryesore: shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët migruan në këto vende gjatë viteve 1971-1990 si emigrant ekonomikë.
Diaspora në Austri
Austria ka qenë një destinacion i preferuar i shqiptarëve në të gjitha kohërat. Megjithatë, komuniteti më i madh i emigrantëve ekonomikë shqiptarë u vendos në këtë vend pas vitit 1990.
Diaspora në Francë
Shqiptarët filluan të migrojnë në Francë pas vitit 1990. Ndërkohë, pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, kishin migruar në Francë një grup I vogël ish krerësh të organizatave antikomuniste.