Zbardhen detaje në lidhje me arrestimin e një personi për vrasjen e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prela.
Burimet kanë bërë të ditur se në pranga është vendos Nikollë Sherrniku, si një nga autorët e kësaj vrasje.
Ende nuk janë bërë publike arsyet e këtij krimi të rëndë.
Njoftimi i Policisë së Lezhës:
Zbardhet vrasja e punonjësit të Policisë XH.P, ndodhur më 05.12.2020 ,në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush.
Grupi i posaçëm hetimor pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes, ku mbi bazën e provave të grumbulluara u identifikuan dy autorët e dyshuar të ngjarjes.
Pasditen e djeshme, Policia vuri në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes si dhe shpalli në kërkim bashkautorin tjetër.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh. P., punonjës i FNSH-së Shkodër, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit N. Sh., dhe B. M.
Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit N. Sh., dhe në përfundim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur për autorët e dyshuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Armëmbajtja pa leje’.
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkautori tjetër shtetasi B. M, ku në bashkëpunim me homologët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e lartpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xh. P., pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit si dhe vijon kontrollin për gjetjen e armës së krimit.