Britania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur tashmë procesin e vaksinimit kundër COVID-19. Për të nxitur qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë, disa zyrtarë publikë dhe qytetarë janë vaksinuar publikisht, duke e transmetuar procesin në media.
Por transmetimi mediatik është përdorur për të krijuar dyshime. Një prej këtyre transmetimeve është bërë nga rrjeti britanik BBC dhe po përdoret masivisht në internet duke hedhur dyshime nëse vaksinat po bëhen realisht apo jo. Në këto kushte, vetë BBc ka bërë shpjegime përkatëse për të hedhur poshtë çdo dyshim.
“Një filmim i BBC-së po përdoret si provë në rrjetet sociale për të thënë se vaksinat COVID-19 janë të pavërteta. Klipi i transmetuar nga BBC këtë javë po shpërndahet në rrjet nga ata që po udhëheqin fushatën për të mos bërë vaksinën. Ata pretendojnë se shiringa false me maje që zhduket po përdoren nga autoritetet për të promovuar një vaksinë që nuk ekziston” shkruan BBC ndërsa jep më tej interpretimin shkencor se pse ndodh kjo.
Në artikull evidentohet se për këtë process po përdoren ‘shiringa sigurie’. Sipas BBC-së , këto llojë shiringash përdoren prej një dekade nga personeli shëndetësor.
Këto shiringa e tërheqin majen e tyre metalike përbrenda pasi pajisja është përdorur dhe kjo I shërben mbrojtjes së stafit mjekësor dhe pacientëve nga infeksioni apo dëmtime që mund të sjellë ajo pasi është përdorur.
Më tej, në artikull BBC hedh poshtë edhe pretendime të tjera si ai për vdekjen e një infemiereje në Alabama që ka rezultuar lajm i pavërtetë.