Britania e Madhe ka informuar zyrtarisht OBSH-në se varianti i ri i koronavirusit i përhapur në juglindje të vendit mund të qarkullojë më shpejt, duke specifikuar se nuk është ende e qartë nëse është ai më vdekjeprurës. Sipas Ministrisë Britanike të Shëndetësisë, varianti tashmë është “jashtë kontrollit”. Mutacioni i ri u zbulua gjithashtu në Itali, Holandë, Danimarkë dhe Australi. Disa vende të BE kanë pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe.
Në një javë në Britaninë e Madhe rastet e Covid-19 u rritën me më shumë se 50%. “The Independent” shkruan se në 24 orët e fundit u shënua një kulm i infeksioneve të reja me 35 928 perona si dhe 326 viktima.
Italia ka pezulluar të gjitha fluturimet me Britaninë e Madhe. Asnjë fluturim nuk do të ketë nga Mbretëria gjithashtu drejt Holandës, e cila mbylli trafikun ajror me këtë vend deri më 1 Janar pas zbulimit të një rasti edhe në Holandë. Bllokim fluturimesh edhe për Francën dhe Belgjikën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se është në “kontakt të ngushtë” me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar pas zbulimit të variantit të virusit që do të kishte një transmetueshmëri më të lartë, të vlerësuar 70% më shumë nga Kryeministri Johnson.
Për të koordinuar një përgjigje të Bashkimit Evropian ndaj emergjencës për shkak të variantit të izoluar, presidenca gjermane e BE-së ka ftuar vendet anëtare në një takim urgjent, të hënën në mëngjes, njoftoi zëdhënësi i presidencës gjermane Sebastian Fischer në Twitter.