Policia gjermane dhe belge janë koordinuar për të kryer një goditje të gjerë kundër trafikut të kokainës në Evropë. 70 persona u arrestuan.
Njeri nga të arrestuarit është një shqiptar 34 vjeçar, Ramazan Rraja, nipi i deputetit të PS-së Rrahman Rraja, dhe një person tjetër nga Letonia 35 vjeç. Ata janë mes ‘bosëve të mëdhenj të drogës në Evropë’, thotë policia belge dhe gjermane.
17 persona u arrestuan javën e kaluar në Bruksel dhe Antverpë nën dyshimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës, njoftuan të hënën autoritetet gjermane, të cilët kryen goditjen me homologët e tyre belgë.
‘Falë informacionit nga policia bavareze, policia belge arrestoi 17 persona’, tha Zyra Rajonale e Policisë së Shtetit të Bavarisë. As policia belge, as prokurori federal belg, as zyra e prokurorit të Antverpës nuk ishin të gatshme të komentojnë mbi këtë informacion.
Operacioni synoi rreth 20 banesa të vendosura në qytetet e Antverpës dhe Brukselit. ‘Disa mijëra euro dhe 187 kg kokainë janë kapur,’ shtoi policia bavareze.
Të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti të madh të trafikut të kokainës midis Evropës dhe Amerikës së Jugut. Pika fillestare e hetimit ishte ‘zbulimi i pothuajse 200 kg kokainë në dhjetë supermarkete bavareze në 2017’, sipas policisë bavareze.
Ky hetim tashmë ka çuar në dënimin në vitin 2018 të 14 personave, thonë autoritetet. Sipas policisë bavareze, trafikantët kontrabanduan drogë përmes portit të Antverpës, duke i fshehur ato në arka me banane.
Porti i dytë më i madh i mallrave në Evropë pas Roterdamit, Antverpa është porta kryesore për kokainën në kontinent, për shkak të lidhjes së saj më të fortë tregtare me Amerikën e Jugut.
Kjo drogë shpesh arrin e fshehur në dërgesat e frutave ose në muret e kontejnerëve kryesisht nga Brazili, Ekuadori dhe Kolumbia. /lecanton27.ch