Teatri Kombëtar Eksperimental ka prej pak ditësh një drejtor të ri. Ai është Altin Basha, një regjisor i njohur për veprimtarinë e tij edhe në fushën e teatrit.
Në një intervistë të zhvilluar me gazetaren Fatmira Nikolli, një qëndrestare në mbrojtje të teatrit, zoti Basha u pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me çështjen e largimit të tij nga qëndresa, tre muaj pasi ajo kishte nisur.
Në pozitën e palakmueshme të një artisti të cilit i duhet të përballet me një të vërtetë shumë të hidhur, Zoti Basha u mbrojt duke përdorur dy argumenta kryesorë.
Së pari, ai nuk kishte qenë kundër ndërtimit të një teatri të ri, por vetëm kundër ndërtimit të mjediseve tregtare e të biznesit në pronën e teatrit. Mesa duket, kur kryetari jolegjitim i Tiranës, Veliaj, e ftoi në takim, e bindi në mënyrë përfundimtare që kjo nuk do të ndodhte. Po si vallë? Asokohe ligji special Fusha ishte ende në shqyrtim dhe nuk kishte asnjë logjikë ekonomike që një firmë private si Fusha t’i hynte një projekti shtetëror pa pasur një fitim vetë.
Meqënëse zoti Basha vendosi ta braktisë qëndresën se i besoi Veliajt, vlen t’i kujtojmë që Veliaj është i njëjti tip që ka premtuar zero leje ndërtimi në Tiranë, dhe ka dhënë mbi 1000 të tilla, është po i njëjti që ka premtuar hapesira publike të shtuara dhe ka gllabëruar çdo centimetër të mbetur. Vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar pavarësisht se politikisht e ka urdhëruar Rama, nga ana administrative e ka kryer Veliaj, me gjithë brutalitetin që u pa qartë që prej orës 4:30 të mëngjesit kur fadroma nisi ta prishte Teatrin Kombëtar me njerëz brenda.
Së dyti, zoti Basha u shpreh që lëvizja për mbrojtjen e teatrit u kthye në lëvizje për kapital politik. Më tej lidhur me 17 majin e terrorit u rikthye tek ky argument, që lëvizja prodhoi deputetë dhe anëtarë të këshillit kombëtar të PD-së.
Vlen të theksohet se këto gjykime lidhur me potencialin e zhvillimit politik apo me nxjerrjen e figurave politike nga lëvizja, në qershorin 2018 ende nuk kishin dalë në skenë, madje ishin ende larg. Pra në qershorin 2018 zoti Basha nuk kishte asnjë argument politik për t’u mbrojtur teksa vriste mendjen sesi të zgjidhte dilemën: të rri a të mos rri. Ndaj, intervista e zotit Basha duhet ridëgjuar me këtë informacion në mendje. Dhe akuza qytetare që qarkullon që prej ditës kur ai u largua nga qëndresa dhe sidomos tani pas shpalljes drejtor, u konfirmua: Zoti Altin Basha u shpërblye. Braktisja e qëndresës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar prodhoi një drejtor për Teatrin Kombëtar Eksperimental.