Ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu, i pari që denoncoi publikisht djalin dhe nipat e deputetit socialist Rrahman Rraja, është shprehur dje se grupi i Ramazan Rrajës ka mbështetje të fortë politike.
Mes emrave të 6 shqiptarëve të arrestuar nga operacioni antidrogë të zhvilluar nga Policia gjermane dhe ajo belge, ishte edhe Ramazan Rraja. Sipas Nuhut, ata kanë influencë politike vetëm në Shqipëri, ndërsa tani synojnë tregun europian.
“Për nivelin ku kanë arritur ata, bëhet fjalë për një organizatë shumë të fuqishme kriminale që sjellë kokainë në Europë. Kjo ka arritur për shkak të mbrojtjes politike që kanë në Shqipëri. Dhe nuk e kanë problem të sjellin 200 kg kokainë në Europë”, deklaroi Nuhu.
Në lidhje telefonike me “Syri Tv”, ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu, i cili tashmë ndodhet në azil për shkak të kërcënimeve me jetë që mori pas denoncimit të lidhjes së politikës me krimin, tha ndër të tjera se ka dhënë informacion lidhur mbi grupin kriminal që u arrestua në Belgjikë dhe lidhjet e tyre me pushtetin në fuqi. Nuhu tha se policitë e BE-së i njohin shumë mirë lidhjet që ky grup kriminal ka me qeverinë aktuale.
“Unë kam pasur kontakte me Policinë e vendit ku ndodhem. Këtu kam dhënë informacion në përgjithësi për lidhjen e grupeve kriminale me krimin. Dhe ata e dinë shumë mirë se si institucionet shqiptare janë të lidhura me grupet kriminale duke filluar nga politika”, tha Nuhu.
Në lidhje me operacionin ndërkombëtar antidrogë, të zhvilluar në Belgjikë e Gjermani, gjatë të cilit u arrestua Ramazan Rraja e kushëriri i tij, Nuhu tha se ata kanë grupet e tyre rivale që aktualisht të tërhequr.
“Në momentin që ata do të kenë hapësira do krijojnë ngjarje shumë të mëdha. Ata janë përfshirë jo vetëm në trafikun e drogës, por edhe në vrasje me pagesë. Ne do dëgjohemi veçanërisht për këto ngjarje. Pas këtij dhe ngjarjeve që kanë ndodhur më parë”, shprehet ish-oficeri. Nuhu thotë se nuk ka besim se pasuritë e Rrajës të vendosura nga aktiviteti kriminal do verifikohen.
“Nuk kam besim fare, kjo pasi në majën e piramidës qëndron Edi Rama. Dhe SPAK-u nuk do funksionojë. Nëse do funksiononte një shtet normal do kishte bazë të mjaftueshme për të hapur çështjen, jo hetim pasuror por me trafikun ndërkombëtar. Ku do përfshiheshin persona të tjerë aty në Shqipëri, ka prova të pakontestueshme”, thotë ai.