Kur lajmet për variantin e ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe po dominonin median botërore, komenti i njërit prej virologëve më të mirë në Europë bëri po kaq bujë.
Kryevirologu gjerman, Christian Drosten, bëri një koment të shkurtër: “Për fat të keq, gjërat nuk duken mirë”.
Deklarata e tij shkaktoi shqetësim. I pyetur nga BILD për të sqaruar më tej këtë koment, Drosten tha: “Të dhënat aktuale konfirmojnë dyshimin se varianti i ri është më i transmetueshëm se variantet e tjera. Megjithatë, nga kjo nuk mund të nxirren konkluzione për efektet e tjera, mbi të gjitha mbi faktin nëse sëmundja është më vdekjeprurëse apo për ndikimin te vaksina”.
Ai tha se për momentin nuk ka arsye për shqetësim akut, por shtoi se duhet monitoruar situata me vëmendje.
“Në përgjithësi të dhënat nuk janë të plota, por ne do të intensifikojmë monitorimin në ditët në vazhdim”.
“Tani ne e dimë që kufizimet e kontakteve janë provuar mjaft efektive edhe me këtë variant të ri. Të dhënat e disponueshme tregojnë se varianti i ri përhapet aty ku incidenca e përgjithshme është shumë e lartë ose në rritje”, tha Drosten.
Deri më tani, ekspertët gjermanë thonë se varianti i ri nuk do të ndikojë te vaksina.