Basha takim tjetër me studentët, sulmon oligarkët dhe premton ‘qeverisje të vogël’

0

Lulzim Basha vazhdon takimet me studentët, ku dëgjon shqetësimet e të rinjve dhe sulmon qeverinë. Basha ka zhvilluar këtë të diel një takim me studentët e Fakultetit Ekonomik, me të cilët ka diskutuar për ekonominë, situatën e vështirë të krijuar nga pandemia e koronavirusit, si dhe fenomenet që, sipas tij, e kanë gërryer ekonominë këto vite, si korrupsioni dhe kontrolli i parave publike dhe sektorëve strategjikë nga oligarkët.

“Oligarkë janë ata të cilët pushtetin e tyre ekonomik e përdorin për të diktuar vendime politike që nga ligjet, kontrata, leje, licenca dhe gjithçka tjetër. Ata që në bashkëpunim me një grusht qeveritarësh, pastaj vënë në kontroll të gjithë ekonominë, politikën dhe median e vendit. Rruga për t’u marrë me ta është ligji ynë Anti-Mafia. Të gjithë ata që plotësojnë këto kushte do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar administrativ dhe do t’i përcillen pastaj për ndjekje strukturave të posaçme anti-korrupsion. Synimi i ligjit Anti-Mafia është që këta njerëz që janë përfshirë në këto llojë kontratash, mos të gëzojnë të ardhurat e përfituara padrejtësisht dhe këto të ardhura të rekuperohen dhe t’i kthehen qytetarëve”, është shprehur Basha gjatë bisedës me studentët e Ekonomikut, duke shpjeguar ligjin anti-mafia që ka hartuar Partia Demokratike, dhe që do ta vërë në zbatim në qeverisjen e ardhshme dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Shefi i opozitës iu ka shpjeguar studentëve edhe projektin e tij për një qeverisje të vogël, duke eleminuar shpenzimet e fryra me punësime militanteske politike.

“Ne besojmë tek qeverisja e vogël. Ne besojmë që taksat e shqiptarëve duhen shfrytëzuar më mirë për të ndërtuar një infrastrukturë moderne, që mbështet ekonominë, por gjithashtu për të ndihmuar arsimin dhe shëndetësinë. Nuk besoj në shtetin klientelist që përgjigjen e vetme ndaj varfërisë dhe mjerimit e ka të hapë vende pune të panevojshme, thjeshtë dhe vetëm me rrogë dhe këto rroga paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe kjo është formula e falimentimit, dhe ju e dini që sot shteti shqiptar është de facto i falimentuar”.

Të rinjtë shprehen shqetësimin e tyre edhe për mungesën e prakikave mësimore që nuk ofrohen dot nga sistemi arsimor, gjë që reflektohet më pas edhe në pamundësi përgatitje për tregun e punës. Basha iu shpjegoi atyre programin e PD për këtë çështje duke premtuar stazhe të paguara për studentët.

“Kemi më shumë se 4 vite që i mëshojmë një përqasje që ne kemi hartuar me miqtë tanë gjermanë që janë pararojë e kësaj përqasjeje në Europë, por që ka dhënë kaq shumë rezultate pozitive sa duhet të jesh totalisht i pandjeshëm, siç është kjo qeveri e ky kryeministër ndaj rinisë, që mos të kesh hedhur asnjë hap për ta zbatuar. Cila është kjo përqasje? Është përqasja e financimit të politikave për studentët. Çfarë kushton 10-15 milionë euro që ti ia jep Check-up-it dhe ndonjë tjetri në vit, do të mundësonte të paktën 10 mijë stazhe të paguara në vit, me 300 mijë lekë të vjetra në muaj, që është një pagesë simbolike por e mjaftueshme për të tërhequr 10 mijë studentët më të mirë në praktikë, nga të cilët 70-90% pas praktikës sigurojnë një vend pune. A nuk ia vlen kjo? Për çfarë duhet qeveria, në qoftë se paratë e taksave tuaja dhe të prindërve tua, i bën rrush e kumbulla dhe nuk i dedikon për një veprim të tillë që sjell një leverdi kaq të madhe për shoqërinë! Jo 15 milionë, dhe aq kushton projekti, po dhe 10 herë më shumë po të kushtonte, është një nga gjërat më të justifikueshme para shqiptarëve. Si mund të ecë përpara një komb në qoftë se njerëzit për të cilët ka më shumë nevojë i largohen?”

Artikulli i mëparshëmBëhet vaksina e parë antiCovid në Greqi (FOTO)
Artikulli i radhësMuzikë, kërcim e alkool/ Të burgosurit shqiptarë “harbojnë” në burgjet greke për Krishtlindje, videoja bën xhiron e rrjetit