Komandantët në Hagë kërkojnë ndihmë financiare nga Kosova për të paguar avokatët

0

Ish-komandatët e UÇK-së që janë marrë si të pandehur nga Gjykata Speciale në Hagë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kanë kërkuar për mbështetje financiare nga shteti për të paguar avokatët. Faktin e konfirmoi ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, por pa dhënë hollësi se kush ka kërkuar ndihmë.

“Unë mund të konfirmoj se kemi pranuar disa kërkesa nga të akuzuarit potencialë, komisioni ka filluar punën në shqyrtimin e këtyre kërkesave dhe shpresoj që gjatë kësaj jave të gjitha këto kërkesa që i kemi ne të adresohen. Rrjedhimisht pas adresimit të këtyre kërkesave ne bashkë me Ministrinë e Financave dhe Thesarin do të bëjmë diskursin e atyre mjeteve të kërkuara”, tha ai.

Selimi ka premtuar se i gjithë procesi i ndihmës do të jetë transparent.

“Në momentin kur fillon shpenzimi i parave, ne do t’ju informojmë për harxhimet financiare. Vendimin të cilin ju e përmendët, është i saktë se i klasifikon si sekrete, por ne jemi të obliguar që taksapaguesve tanë t’iu tregojmë për shumën totale të cilën ministria e jep në këto raste. Andaj në momentin kur fillon diskursimi i mjeteve në bazë të kërkesave të avokatëve të palëve të akuzuara atje do të jeni të informuar”, tha ai.

Gjatë këtij viti Gjykata Speciale ka ngritur akuzën në lidhje me dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt dhe Salih Mustafës./ ora

Artikulli i mëparshëmMali i Zi, parlamenti miraton ndryshime në ligjin mbi Liritë Fetare
Artikulli i radhësInter, transferimi i Eriksen e Nainggolan hap merkaton: prioritet në sulm e mesfushë