Kosova vazhdon të mbetet shqetësim kryesor për Serbinë, madje edhe për Kishën Ortodokse të vendit. Patriarku i ri, Porfirije, mbajti të premten meshën e tij të parë që pas kurorëzimit në krye të Kishës. Në mesazhet që dha para pjesëmarrësve, një pjesë të liturgjisë ai ia kushtoi Kosovës, të cilën sikurse paraardhësi i vet, e konsideroi Jerusalemin shpirtëror të Serbisë.
“Kosova jonë e përvuajtur është shqetësim i madh për mua, por edhe për Kishën tonë. Për serbët, Kosova nuk është thjesht një mit, sepse mitet i takojnë botës së imagjinatës dhe atje ne ose humbim, ose fitojmë. Kosova është për ne një fije dhe kërthiza që na lidh me djepin tonë shpirtëror dhe historik, me thelbin e identitetit tonë,” tha ai. Patriarku Porfirije mori të enjten fronin si kryetari i 57-të i Kishës Ortodokse Serbe, nëpërmjet votës.
Ceremoninë e së premtes e ndoqën nga afër presidenti i vendit, Aleksandër Vuçiç, ministrat, dhe një publik i gjerë nën masat parandaluese anticovid. Patriarku Porfirije zëvendëson ish-kryetarin e Kishës, Irinej, i ndarë vjet nga jeta pas prekjes nga koronavirusi.
Irinej ishte po ashtu përkrahës i idesë se Kosova është pjesë e Serbisë, ide që e nda edhe Kisha Ortodokse Serbe e cila e kundërshton pavarësinë e saj.