Një pako me 375 mijë euro të falsifikuara i është dërguar një personi në Kosovë nga Turqia nëpërmjet postës. Por, Policia e Kosovës ka marrë informacion për këtë dërgesë dhe ka ngritur pritë ndaj kontrabandistëve të parave të falsifikuara dhe jo një, por ka arrestuar 6 persona në momentin kur po tërhiqnin paratë.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Kosovës mësoi nga Dogana e Kosovës se një pako e nisur me postë nga Turqia, ishte dërguar për në Kosovë dhe saktësisht në fshatin Mamushë. Në këtë pako dyshohej se kishte para që mund të ishin të falsifikuara.
Krimi Ekonomik në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka marrë masa të fshehta për hetimin dhe vëzhgimin dhe e ka mbajtur atëo pako nën vëzhgim deri në destinacionin e caktuar.
Më 2 prill 2021, në orën 14:30, sipas procedurës kjo pako është tërhequr nga posta në Mamushë nga personi për të cilin ishte dërguar. Ky person ishte në shoqëri edhe me disa persona të tjerë.
Pikërisht aty policia ka reaguar dhe të gjithë personat qe kanë pasur lidhje me këtë pako, u arrestuan në moment.
Hetuesit e policisë kanë sekuestruar 375 mijë euro, bankënota nga 100 euro dhe 50 euro, si dhe 6 telefona celular të personave të dyshuar.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit Prizren, 5 persona u mbajtën nën arrest, kurse i gjashti u lirua.