UEFA ka hapur zyrtarisht një hetim për sulmuesin suedez të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, pas zërave se ai është aksionar në një kompani bastesh me qendër në Maltë, një veprim ky i ndaluar për të gjithë futbollistët.
Lajmi u publikua pak ditë më parë në mediat suedeze, ku thuhej se gjiganti me origjinë nga Bosnja ka një sasi të vogël aksionesh në kompaninë e basteve “Bethard”, ndonëse FIFA dhe UEFA u ndalojnë lojtarëve që luajnë në kompeticionet e tyre, të kenë pronësi në kompani bastesh.
Mësohet se Federata Suedeze e Futbollit ka pasur dijeni për rastin që para tre vitesh dhe pikërisht për këtë arsye nuk e ka ftuar sulmuesin në përfaqësuese, megjithatë në mars Ibra u rikthye sërish të veshë fanellën e Suedisë.
“Në bazë të artikullit 31(4) të Kodit Disiplinor, një inspektor i Etikës dhe Disiplinës në UEFA është ngarkuar për të hetuar në lidhje me shkelje të mundshme të këtij neni nga ana e Zlatan Ibrahimovic, që dyshohet se ka në pronësi një kompani bastesh sportive”, thuhet në komunikatën e UEFA-s.
Nëse konfirmohet shkelja disiplinore për sulmuesin 40-vjeçar, atëherë ai rrezikon të përballet me një pezullim të ashpër, që mund ta lërë për shumë muaj jashtë aktiviteteve futbollistike.