Avokat Spartak Ngjela ka shprehur dje bindjen e tij se Ilir Meta do të arrestohet. Gjatë një interviste televizive Ngjela tha se, sido që të ndodhë hetimi ndaj tij nga SPAK apo nga Gjykata Kushtetuese, presidenti shumë shpjet do të merret si i pandehur. Sipas Ngjelës, ai ka shkelur disa herë Kushtetutën me gjuhën e ashpër dhe thirrjet për destabilitet që ka bërë së fundmi. Ndërkohë avokati tha se, presidenti “mori krah” nga Moska sepse mendoi që do kishte mbështetjen e tyre kur t’i vinte dita për t’u hetuar, prandaj edhe sulmoi SHBA. Nga ana tjetër, ai theksoi se ardhja e trupave të NATO-s për stërvitje në Shqipëri tregon që Moska nuk ka më hapësirë për të ndërhyrë në çështjet e Ballkanit, e jo më hapësirë të ndihmojë të korruptuarit në Shqipëri. Sipas avokatit, Meta e ka kuptuar këtë prandaj dhe jep deklarata të tilla ndikuar nga frika, me një fjalor që nuk i tolerohet një presidenti. “Nuk e di sesi do të vendosin. Do hyjë SPAK në lojë, apo vetëm Gjykata Kushtetuese. Nëse Kushtetuesja provon se ka shkelur Kushtetutën është krim penal dhe ai do të merret i pandehur. Ka thyer politikën amerikane. Ai priste Moskën, tha raketa ka edhe Rusia. A e shikoni lojën ushtarake që zhvillohet këtu, është kundër Rusisë. Rusia ka futur duart me para në Ballkanin Perëndimor. A do ikin këta ushtarë derisa të sheshohen problemet? Gjenerali amerikan dha garanci të mëdha dhe nuk e fshehën faktin se ka një konkurrencë Rusi-Amerikë. Shqiptarët janë me Amerikën, nuk mund të jenë me Rusinë. Meta ka krizë psikike. Nuk është budallallëku i parë. Ai ka thënë gjithë ato budallallëqe. Si ai nuk flasin as ordinerët as ata nuk e kanë këtë gjuhë. Intelekt shumë i ulët”, tha Ngjela. Ndërkohë i pyetur se ku gaboi presidenti Meta në lidhje me qëndrimet e tij për zgjedhjet e 25 prillit. Ngjela u përgjigj se nuk është vetëm Meta që ka bërë gabime të tilla, pas tij vijnë edhe liderët e opozitës që gjithashtu kërkuan stabilitet gjatë periudhës së fushatës. Sipas avokatit, ndërhyrja e forcave amerikane i frenoi lëvizjet dhe projektet e tyre për të krijuar destabilitet në vend. “Gjërat janë të lidhura. Nuk është vetëm Meta. Meta është më i shthururi nga sistemi mendor. Edhe liderët e PD thanë se do bëhet revolucion. Ata e dinin se nuk i fitonin këto zgjedhje. Paralajmëruan destabilizim? Pse nuk e bënë? Sepse janë forcat amerikane”, u shpreh avokati.