Mungesa e vaksinave kineze “Coronavac” ka sjellë kaos në qendrat e vaksinimit, jo vetëm në Tiranë por edhe rrethe.
Për të tretën ditë me radhë, qytetarët kryesisht të moshuar të cilët janë paraqitur për të injektuar dozën e dytë të vaksinës kineze janë përcjellë në shtëpi. Ata nuk janë informuar jo vetëm për këtë vonesë disa ditore, por edhe për faktin sesa gjatë do të duhet të presin për të marrë dozën e dytë.
Nga autoritet shëndetësore vetëm një ditë më parë, pas shqetësimit të ngritur në media, është komunikuar që dërgesa e radhës me vaksina kineze pritet të mbërrijë në fundjavë, por për këtë nuk ka asgjë të sigurt.
Kjo edhe për shkak të ndryshimit të marrëveshjes me kompaninë distributore turke, e cila e kishte paralajmëruar këtë vonesë që në muajin prill. Kontrata e rishikuar parashikon që furnizimi me dozat e radhës të “Coronavac” të mos bëhet nga Kina, por përmes degës së prodhimit në Turqi.
Në këto kushte do të ndryshojë ambalazhimi. Kujtojmë që kontrata u firmos për 500 mijë doza me një faturë 10 milionë dollarë dhe ndërkohë, u tha që ishte rënë dakord që të siguroheshin 1 milion të tilla deri në fund të muajit qershor. Por pavarësisht se kanë qenë në dijeni të këtij fakti, ritmet e vaksinimit janë shtuar ndjeshëm duke mos planifikuar vaksina për dozën e dytë.