Drejtuesi i Policisë Rrugore, Edmond Trakaj ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme, nga ku paralajmëroi se do të ketë rritje të prezencës së policisë në akset rrugore. Një vendim ky që është marrë pas rritjes së numrit të aksidente enë vend, por edhe fillimit të sezonit turistik.
Duke kërkuar që çdo drejtues mjeti në radhë të parë të kujdeset më shumë për jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, Takaj informon se do të ketë prezencë të shtuar në akset rrugore, për të mbikëqyrur trafikun, për të parandaluar shkeljet dhe aksidentet dhe për të informuar dhe ndihmuar çdo përdorues rruge të mbërrijë i sigurt në destinacionin e tij, dhe nga ana tjetër nuk do të tolerojë asnjë shkelje të kodit rrugor.
Nën moton “Ruaj jetën dhe kuletën duke respektuar Kodin Rrugor”, policia paralajmëron se nuk do të ketë tolerime për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Takaj tha se policia do të përdorë të gjitha mjetet logjistike si kamera, dronë, radarë, alkooltestues, makina të paloguara dhe me aparate fotografike, për të evidentuar dhe dokumentuar çdo shkelje të qarkullimit rrugor.
Njoftimi i plotë
Shërbimet e Policisë së Shtetit dhe në veçanti strukturat e Policisë Rrugore kanë intensifikuar punën për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Shërbimet e Policisë, javët e fundit, kanë konstatuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që kryejnë sjelle agresive në rrugë, që drejtojnë mjetet pa leje drejtimi, nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, kryejnë parakalime të gabuara dhe qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, si në akset rrugore nacionale, ashtu edhe në qendrat e banuara, shkelin sinjalistikën vertikale dhe horizontale, qarkullojnë pa rrip sigurimi e kaskë mbrojtëse dhe përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.
Por, pavarësisht numrit të lartë të masave administrative dhe procedimeve penale të marra ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, përsëri vihet re një numër i lartë i shkeljeve të rregullave të qarkullimit, të cilat në disa raste kanë sjellë si pasojë edhe humbjen e jetës.
Duke analizuar situatën, nisur dhe nga fakti se jemi në fundjavë dhe fluksi i automjeteve në lëvizje drejt zonave bregdetare apo pikave turistike do jetë shumë herë më i madh, Policia e Shtetit nën moton “Ruaj jetën dhe kuletën duke respektuar Kodin Rrugor”, do të intensifikojë punën me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia e Shtetit nuk ka asnjë qëllim për të ndëshkuar apo rritur sasinë e masave administrative ndaj përdoruesve të rrugës. I vetmi qëllim i yni është të shpëtojmë jetë, ndaj në mënyrë të vazhdueshme kemi punuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve tona.
Në këtë kuadër, kemi synuar në radhë të parë përmirësimin e bazës logjistike të shërbimeve të Policisë, por edhe duke bërë propozime e sugjerime te ligjvënësit për të ndryshuar edhe nene të caktuara të Kodit Rrugor.
Në funksion të këtij qëllimi, në muajin maj 2021, pas një pune e angazhimi të shumë aktorëve të sigurisë rrugore në Shqipëri, në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë u aprovuan ndryshime të rëndësishme të dispozitave kryesore të “Normave të Sjelljes”, po jo vetëm.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Policisë Rrugore ka qenë e përfshirë në këtë proces të rëndësishëm për të rritur më tej parametrat e sigurisë rrugore në Shqipëri.
Duke kërkuar që çdo drejtues mjeti në radhë të parë të kujdeset më shumë për jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, Policia Rrugore informon se do të ketë prezencë të shtuar në akset rrugore, për të mbikëqyrur trafikun, për të parandaluar shkeljet dhe aksidentet dhe për të informuar dhe ndihmuar çdo përdorues rruge të mbërrijë i sigurt në destinacionin e tij, dhe nga ana tjetër nuk do të tolerojë asnjë shkelje të kodit rrugor.
• Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të mos drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit.
• Gjatë fundjavës apo në festa, në rast se drejtuesit e automjeteve dëshirojnë të konsumojë alkool, Policia Rrugore ju këshillon përdorimin e një mjeti taksi që në çdo rast kushton më lirë!
• Vendosni rripin e sigurimit dhe detyroni edhe pasagjerët për ta vendosur atë.
• Kur udhëtoni me motomjete vendoseni ju dhe detyroni pasagjerin të vendosë kaskën në kokë e jelekët fosforeshentë, që të bëheni të dallueshëm në trafik në kushtet e errësirës.
• Evitoni parakalimet e gabuara dhe sjelljet agresive në rrugë.
• Qëndroni në radhën e mjeteve kur ajo krijohet për shkak të ngarkesës së madhe, dalja nga “kolona” mund t’ju kushtojë “një fotografi” falas dhe një gjobë së bashku me pezullimin e lejes së drejtimit për disa muaj.
• Mos drejtoni mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara, çdo shkelje e tejkalim i saj sjell pasoja mbi jetën në rastin më të keq, dhe në rastin më të mirë zbraz kuletën më shumë.
Policia Rrugore do të përdorë të gjitha mjetet logjistike si kamera, dronë, radarë, alkooltestues, makina të paloguara dhe me aparate fotografike, për të evidentuar dhe dokumentuar çdo shkelje të qarkullimit rrugor.
Për të udhëtuar dhe për të mbërritur të sigurt në destinacion nuk mjafton vetëm puna e Policisë, por kontributi i gjithsecilit.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional!