Thuajse ndaj gjithë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”, në përfundim të një hetimi për shpërdorim me detyrën duke lejuar ndërtimin e objekteve të paligjshme. Policia ka arrestuar sot kryeinspektorin dhe një inspektor, ndërkohë që ka shpallur në kërkim dy të tjerë.
Policia e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë njftoi se “pas një hetimi disajavor, bëri ndalimin e dy personave në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë që ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ata janë R.H, 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë dhe E.Z, 30 vjeç, banues po në Himarë, me detyrë inspektor. Ndërkohë, u shpall në kërkim M.N, 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh.B, 53 vjeç, banues në Himarë, edhe ata inspektorë të IKMT-së.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.