Vala e re e koronavirusit që ka përfshirë Argjentinën, ka detyruar Federatën e Futbollit atje që të vendosë për ndërprerjen e përkohshme të të gjitha aktiviteteve të futbollit.
Lajmin e ka dhënë vetë federata argjentinase që sqaron se do të ndërpriten të gjithë kampionatet deri më 30 maj, për në ndihmuar qeverinë në menaxhimin më të mirë të situatës, teksa sqaron se gjatë kësaj kohe do të luhen vetëm ndeshjet ndërkombëtare të organizuara nga CONMEBOL.
Shifrat e koronavirusit në Argjentinë janë shqetësuese dhe madje kanë prekur edhe shumë futbollistë, teksa River Plate është një nga skuadrat më të goditura, me më shumë se 20 futbollistë që kanë rezultuar pozitivë.
Pikërisht për këtë arsye, Riveri u përball me një situatë të pazakontë në ndeshjen e të enjtes në Kupën e Libertadores, pasi u detyrua të aktivizojë mesfushorin Enzo Perez në portë, duke qenë se të tre portierët e federuar janë prekur nga koronavirusi.
CONMEBOL nuk mori në konsideratë kërkesën e River Plate për të shtuar portierë në listën e federimeve, megjithatë “Millionarios” ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-1 ndaj Indipendientes, ndonëse mes shtyllave luajti një mesfushor, i cili u trajnua për këtë rol të ri vetëm dy ditë para ndeshjes.