Spiropali: Përdhunimi është krim, të heqim gjykimin e shkurtuar

    0

    Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali deklaroi se do të angazhohet për nismat kundër abuzuesve seksualë me të mitur. Spiropali u shpreh se si nënë e dy fëmijëve të mitur do mbështesë deklaratat e protestuesve kundër përdhunimit të të miturës në Mirditë.

    “Brenda dy javësh dy denoncime për raste të rënda për abuzime seksuale me të mitura. Do ishte mendjelehtësi t’i konsiderojmë si raste të izoluara. Jemi vendi i vogël. Fenomenit duhet t’i vëmë emrin krim dhe mendësinë e ushqen këtë krim duhet ta izolojmë. Në afat më të gjatë duhet të marrim masat për të shfarosur të zezën që vret gra dhe vajza. Protesta në Tiranë, Mirditë dhe Shkodër ishte e lavdërueshme. Meriton të gjithë respektin.

    Kjo nuk mjafton. Të dhënat flasin vetë. Dhuna ndaj gruas nuk është vetëm pasojë e rreziqeve të jashtme por ndodh edhe më shpesh në familje. Shumë gra besojnë se dhuna duhet toleruar për të mbajtur të bashkuar familjen. Bërja publike jashtë rrethit familjar konsiderohet e turpshme. 1 në 100 gra besojnë se kur një grua përdhunohet, mendojnë se vetë viktima ka bërë një gabim. Të bëhet kujdes për moscenimin e dinjitetit. Origjina e dhunës nuk është kurrë viktima. Hapësira e denoncueseve për çështje kaq delikate duhet shtuar.

    Bërja publike e detajeve të abuzimeve dhe trajtimi i viktimave pa respektin e duhur dhe tjerrjet pa fund janë një tjetër abuzim i rëndë që familjet e tyre e vuajnë. Ligji është forcuar. Duhet ndërhyrje që përdhunuesit e të miturve të mos pranojnë nga gjykimi i shkurtuar. Si nënë e dy fëmijëve të mitur do angazhohem të mbështes nismat e protestuesve për parandalimin e dhunës, caktimin e detyrave për autoritetet dhe çdo institucion që punon për fëmijët”, deklaroi ministrja.

    Artikulli i mëparshëmProkuroria rihap çështjen e vrasjes së Aleks Nikës në 21 janar
    Artikulli i radhësTani në Facebook mund të shkruani se virusi doli nga laboratori