8 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën mëngjesin e së mërkurës në San Hoze të Kalifornisë në SHBA. Autoritetet thanë se një person i armatosur hapi zjarr në një kompleks për parkimin e tramvajeve. Personi i dyshuar për ngjarjen ishte punonjës i kompleksit dhe gjeti vdekjen gjatë incidentit, tha një zëdhënës i policisë, por pa përcaktuar se si vdiq ai.
Një zyrtar tha se të shtënat ndodhën para orës 7 të mëngjesit në një pjesë të objektit ku punëtorët bëjnë mirëmbajtjen e mjeteve dhe jo në qendrën e operacioneve dhe të kontrollit. Autoritetet kanë marrë informacione rreth pranisë së lëndëve shpërthyese në ndërtesë dhe po punojnë për të siguruar secilën prej dhomave të saj.
San Hozeja, një qytet me rreth 1 milion banorë, ndodhet në zemër të Luginës së Silikonit (Silicon Valley), një qendër globale e novacionit teknologjik dhe aty kanë selinë disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në SHBA. Një bashkëpunëtor i televizionit ABC News raportoi se ndërtesa nuk ishte e hapur për publikun, prandaj personi që shtiu do të ketë pasur nevojë për ndihmë nga brenda për të hyrë. Parkimi është një kompleks ndërtesash industriale, pranë shinave hekurudhore.