Një ish-ushtarak i armatosur në Francë është qëlluar nga policia pas një ndjekje 24 orëshe. Ai quhet Terry Dupin, 29-vjeç, ishte fshehur në një pyll në jugperëndim të vendit, pasi qëlloi të shtunën me armë zjarri mbi policinë.
Autoritetet franceze thanë se 29-vjeçari është plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me një skuadër të forcave speciale, ku dhe u arrestua.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin tha se ai ishte “neutralizuar” dhe falënderoi policinë për profesionalizmin e treguar.
Mësohet se ngjarja filloi për shkak të një konflikti që 29-vjeçari pati me ish-të dashurën në shtëpinë e saj në Le Lardin-Saint-Lazare në Dordogne, i cili pas konfliktit me të vendosi të largohet në një pyll të zonës, ndërsa ishte armatosur me një thikë dhe pushkë me rreze të gjatë.
Autoritetet thanë se Dupin ishte dënuar edhe në të kaluarën për dhunë në familje.